Sondazh

Lufta në Iran, a rrezikon të nisë Lufta III Botërore?

Loading ... Loading ...
 

Rikthehet Bordi i Transparencës/ Qeveria vendos të ulë akcizën me 20%

schedule11:54 - 20 Mars, 2026

schedule 11:54 - 20 Mars, 2026

Rikthehet bordi i transparencës i cili do të monitoroj tregun e karburanteve në vend. Qeveria ka vendosur që të marrë masa për të mbajtur nën kontroll çmimin e karburanteve i cili ka pësuar shtrenjtim të ndjeshëm gjatë ditëve të fundit si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Në një mbledhje të zhvilluar në orët e vona të së mërkurës është vendosur që të rikthehet ky mekanizëm që  do të përcaktojë çmimet tavan mbi të cilat nuk do të lejohet tregtimi i karburanteve në pikat me pakice.

Ndërsa është parashikuar që për çdo shkelje të   këtij vendimi do të ketë penalizime e cila mund të çojë deri në pezullimin e licencës së aktivitetit.



Po ashtu është marrë vendim edhe për uljen e akcizës me 20% si një masë që synon lehtësimin e barrës për qytetarët dhe reflektimin e drejtpërdrejtë në uljen e çmimeve. Aktualisht akciza është rreth 39 lekë  për çdo litër naftë dhe me uljen  shkon në 31 lekë për çdo litër naftë ose 8 lekë më pak.

Vendimet pritet të zbardhen në ditët në vijim  ndërsa bordi do të ngrihet javën tjetër. Nga burime është mësuar se në mbledhjen e  qeverisë që është realizuar në orët e vona të së mërkurës  qeveria ka përcaktuar edhe marzhet e fitimit dhe mënyrën se si do të funksionojë Bordi i Transparencës.

Për të kontrolluar kompanitë është   përcaktuar edhe marzhi i fitimit i cili do të jetë 3 lekë për tregtinë me shumicë dhe 12 lekë për tregtinë me pakicë. Një mekanizëm i tillë për kontrollin e tregun të karburanteve siç është Bordi i Transparencës është një mekanizëm që është ngritur edhe gjatë përshkallëzimit të luftës Rusi-Ukrainë, por ndërhyrja këtë herë është edhe më e madhe pasi është vendosur që të ulet edhe akciza që taksë kjo që aplikohet për litër naftë.

Me zbardhjen e VKM pritet të saktësohet edhe koha që do të jenë në fuqi këto ndërhyrje të mara në mbledhjen e fundit të qeverisë. Aktualisht në vend operon një Task-Forcë e cila po monitoron tregun e karburanteve e cila u ngrit pas nisjes së konfliktit me Iranin.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!