Rikonstruktohet shkolla “Dëshmorët e Lirisë”

schedule16:28 - 13 Shtator, 2018

schedule 16:28 - 13 Shtator, 2018

Të gjitha shkollat e Tiranës ku po punohet sipas kryetarit të bashkise Erion Veliaj, do jenë gati të hapin dyert në nisjen e vitit shkollor. Veliaj inspektoi investimin që po kryhet në shkollën “Dëshmorët e Lirisë”.

Tre shkolla të reja ka parashikuar të ndërtoje Bashkia në Njësinë Administrative numër pesë në Tiranë. Kryebashkiaku Erion Veliaj e ndau këtë lajm nga shkolla “Dëshmorët e Lirisë” ku bashkë me ministrin e Diasporës inspektoi punimet që po kryhen.

 “Ka ende pak punë për të mbyllur terrenin sportiv, ndërkohë që ka mbaruar auditori, kanë mbaruar punimet e brendshme, banjot e reja, veshja me kapotë, të gjitha klasat, plus klasa parashkollore, e cila do të jetë e pranishme në shumicën e shkollave të Tiranës, si një klasë më vete që parapërgatit fëmijët që do të nisin klasën e parë. Njësia 5 sot është me të drejtë qyteti i dytë në Shqipëri, pas Tiranës; do të thotë që, edhe nevojat janë rritur, ndaj po bëjmë dy veprime: së pari, rregullim total të të gjitha shkollave ekzistuese dhe më pas do të ndërtojmë 3 shkolla të reja. E para do të jetë tek Parku Olimpik, për të shfryrë një pjesë të mirë që vjen nga zona e Kopshtit Zoologjik, Kopshtit Botanik dhe Liqenit të Thatë.”

Sipas kryetarit te bashkise  me ndërtimin e shkollave të reja, por edhe me shtimin e klasave në ato ekzistuese  ne disa  zona të Tiranës eliminohet mësimi me dy turne. Veliaj iu bëri thirrje drejtorëve të shkollave të respektojnë kuotat e të mos regjistrojne nxënës që vijnë nga zona të tjera pasi sipas tij të gjitha shkollat ofrojnë kushte dhe standarde mësimdhënie të njëjta.

“Ftesa jonë për drejtorët ka qenë: Respektoni maksimalisht kuotat! Duke pasur dëshirë për të mbushur shkollën dhe për të bërë ndonjë nder të vogël, me mbingarkesë, në fakt e rrënojnë cilësinë e arsimit për gjithë të tjerët. Duhet ta kemi të gjithë parasysh këtë dhe ta respektojmë si rregull të Bashkisë së Tiranës dhe Drejtorisë Arsimore”.

Te gjitha shkollat e Tiranës ku po punohet sipas kryetarit te bashkise  do jenë gati të hapin dyert në nisjen e vitit shkollor, me 17 shtator. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!