Viti i ri shkollor do t’i gjejë nxënësit e shkollës “Avni Rustemi” me hapësira të reja dhe bashkëkohore. Gjatë inspektimit të fundit, para mbylljes së rikonstruksionit të shkollës, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, tha se mësimi me dy turne i përket së shkuarës.
“Kjo shkollë do të jetë një bizhu për Njësinë 10, e cila ka prodhuar shumicën e basketbollistëve të Tiranës. Ajo është ndërtuar në vitin 1960 dhe ka kaluar me dy turne, prej faktit se qyteti është rritur, lagjja po ashtu, por nuk është rritur kapaciteti i shkollës. Kemi përdorur palestrën e vjetër për të shtuar 4 klasa. Kjo do të thotë se nga ky vit, nxënësit do të mësojnë me një turn”, u shpreh Veliaj.
Ai deklaroi se përveç “Avni Rustemit”, në nisje të vitit të ri shkollor do të hapen edhe disa shkolla të tjera. “Do të hapim edhe shkollat ‘Musine Kokalari’, ‘Xhezmi Delli’, ‘Emin Duraku’, të cilat i përfunduam diku nga fundi i semestrit, por tani i hapim zyrtarisht me kapacitet të plotë. Do të punojmë me disa shkolla të reja, të qendrës të Tiranës, si ‘Edith Durham’ dhe ‘Petro Nini’”, deklaroi ai.
Kreu i Bashkisë tha se ka vendosur të mos merret me sharësit dhe djegësit e gomave, por vetëm me punë për të ecur përpara. “Kam vendosur të mos fokusohem as te zhurma, as të merrem me ata që vetëm dinë të shajnë, të djegin, të ndezin zjarre dhe molotovë, si e vetmja alternativë e tyre. Kjo alternativa këtu është shumë herë më e mirë. Në këtë shkollë mësojnë si fëmijët e së majtës, edhe të së djathtës. Unë i kuptoj që është shumë e vështirë të pranosh humbjen e thellë që ata patën në Tiranë. I siguroj se humbja tjetër në Tiranë për ta do të jetë edhe më e thellë, edhe më e dhimbshme. Ky qytet ka ditur të zgjedhë me zgjuarsi mes atyre që shkatërrojnë dhe dhunojnë, dhe atyre që ndërtojnë dhe lënë një pajë të jashtëzakonshme për fëmijët. Në zgjedhjet e ardhshme sërish do të duhet të gjykojmë kush punoi, kush la një gjurmë, kush ndërtoi, cilësinë e jetesës, kush rriti vlerën e pronës, kush ndërtoi shkolla, kopshte, çerdhe dhe kush ndërtoi një gjuhë përçarëse dhe ndasie që nuk e meriton Shqipëria e 2024’’, tha ai.
Veliaj shtoi se do të hapen 7 kopshte dhe çerdhe të reja për të vegjlit e qytetit. “Mezi pres që një pjesë të madhe të çerdheve dhe kopshteve, sidomos në lagjen ‘Rilindja’, aty ku është ‘Unaza e Madhe’, te ‘Kopshti Botanik’ dhe te zona e ‘Freskut’, të kalojmë në një sistem tjetër, që po e pilotojmë, që është marrja me qira sepse do të jetë gjithmonë e më e pamundur që, në një qytet të madh, të kesh hapësira për të ndërtuar ndërtesa monovolum. Duhet që në këto zona të hiperurbanizuara, që nga koha e ish-komunave, të vazhdojmë me sistemin e marrjes me qira, për t’u siguruar që ofrojmë të njëjtin shërbim, pa qenë detyrimisht pronarë të së njëjtës ndërtesë, duke e marrë atë sipas nevojës dhe në varësi të fluksit të banorëve, sidomos në këto zona ku ka familje të reja”, u shpreh Veliaj.
Në fund, kryebashkiaku theksoi se e gjithë rruga e “Bogdanëve” është kthyer në një lagje të madhe me AirBnb dhe turizëm dentar./abcnews.al