Rikompozimi i administratës Trump…

schedule13:07 - 23 Mars, 2018

schedule 13:07 - 23 Mars, 2018

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka rikompozuar përsëri administratën e tij. Ai shkarkoi këshilltarin për Sigurinë Kombëtare Gjeneralin McMaster. Në vend të tij emëroi ish-zyrtarin republikan, John Bolton, që konsiderohet mbështetësi kryesor i luftërave të nisura nga ish-presidenti Bush.

Donald Trump vazhdon të rikompozojë administratën e tij, duke njoftuar shkarkimet dhe zëvendësimet përmes Twitterit. Pas sekretarit të shtetit Rex Tillerson, i zëvendësuar nga shefi i CIA-sm Mike Pompeo, këtë herë është radha e këshilltarit për Sigurinë Kombëtare, Gjeneralit H.R McMaster, i cili është pasuar nga ish-ambasadori amerikan në OKB, John Bolton.

“Kam kënaqësinë të njoftoj se që nga 9 Prilli, John Bolton do të jetë Këshilltari i ri për Sigurinë Kombëtare. Falenderoj Gjeneralin McMaster për shërbimin, i cili ka bërë një punë të mrekullueshme dhe që gjithmonë do të mbesë miku im”, shkruan Trump në Twitter. Bolton do të jetë këshilltari i 3-të për Sigurinë Kombëtare, që është emëruar në 14 muaj të presidencës Trump. I pari ishte Michael Flynn, që u shkarkua për mashtrimet lidhur me dëshmitë e tij për çështjen “Russiagate”. Mediat amerikane raportojnë se shkarkimi i McMaster erdhi për shkak të mosmarrëveshjeve të tij me kreun e Shtëpisë së Bardhë.

Ndërkohë, duke iu përgjigjur emërimit, Bolton tha se është kënaqësi të punojë me Presidentin Trump dhe ekipin e tij “për ta bërë vendin më të sigurtë brenda dhe më të fuqishëm jashtë”. 69-vjeçari është konsideruar si fajkua i politikës së jashtme në qarqet republikane për dekada, dhe ka shërbyer në administratën e presidentit Ronald Reagan, George HW Bush dhe George W Bush.

Bush i dytë e caktoi atë si të dërguar të SHBA në OKB. Diplomatët privatisht e kritikuan stilin e zotit Bolton si të bezdisshëm. Ai qëndron pas pushtimit të Irakut dhe në disa opinione ka mbrojtur përdorimin e forcës ushtarake kundër Koresë së Veriut dhe Iranit. Mediat amerikane raportojnë se vendimi për emërimin e Bolton erdhi si surprizëm, pasi Trump vendosi kundër caktimit të tij në drejtim të Departamentit të Shtetit vitin e kaluar vetëm sepse nuk i pëlqenin mustaqet e tij, për të cilat është i njohur 69-vjeçari./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!