Rihapet tenderi për shtëpitë që prishi tërmeti, FSHZH: Ofertat nuk plotësonin kriteret

schedule08:13 - 29 Prill, 2020

schedule 08:13 - 29 Prill, 2020

Në muajin mars Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) shpalli procedurën e prokurimit që kishte si objekt “Rindërtimi i shtëpive individuale në zonat e prekura nga tërmeti (në kuadër të procesit të rindertimit)” me një fond limit prej 5.2 miliardë lekë pa TVSH.

Afati për paraqitjen e ofertave ishte 19 marsi dhe duket se pavarësisht situates, kompanitë kanë shfaqur interes por asnjë prej tyre nuk është klasifikuar si ofertë fituese.

FSHZH rihapi sërish këtë javë të njëjtën procedurë duke argumentuar se anulimi i të mëparshmes erdhi pasi “asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përputhet me kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit”.

Ajo që bie në sy në procedurën e rishpallur është rritja e fondit limit që tashmë ka kaluar në rreth 6.2 miliardë lekë pa TVSH, pra një rritje me gati 20 për qind të këtij fondi. Objekti i marrëveshjes kuadër përfshin rindërtimin e banesave individuale, ndërtimi dhe rikonstruksioni i infrastrukturës publike dhe çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të këtyre banesave në territorin e bashkive Durrës, Kamëz, Kavajë, Rrogozhinë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Shijak dhe Vorë.

Po kështu paralelisht me këtë procedurë është hapur edhe një tjeter me objekt “Ndërtimi dhe rikonstruksioni i infrastrukturës publike në zonat e reja të shpallura për zhvillim të detyruar” me fond limit 3.7 miliard lekë duke cuar totalin në rreth 10 miliard lekë apo më shumë se 80 milionë euro.

Fondi i procedurës

Në dokument sqarohet se vlera e përafërt llogaritet në  6,186,125,775 (gjashtë miliard e njëqind e tetëdhjetë e gjashtë milion e njëqind e njëzet e pesë mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e pesë) lekë pa tvsh.

“Buxheti i vënë në dispozicion për vitin 2020 është 5,499,892,262 lekë pa tvsh.  Në rastin kur objekti i prokurimit përbëhet nga disa artikuj, shumatorja e çmimeve për njësi është:

– Versioni 1: Banesë individuale 1+1, vlera 2,188,401 Lekë pa tvsh; Banesë individuale 1+2, vlera 2,507,131 Lekë pa tvsh; Banesë individuale 1+3, vlera 3,163,758 Lekë pa tvsh.

– Versioni 2: Banesë individuale 1+1, vlera 2,184,104 Lekë pa tvsh; Banesë individuale 1+2, vlera 2,501,609 Lekë pa tvsh: Banesë individuale 1+3, vlera 3,177,776 lekë pa  tvsh” thuhet në dokument.

Tipologjia e banesave

Dokumentet nënvizojnë edhe dy versionet e tipologjisë së banesave sa i takon ndërtimit.

Versioni 1 – Ndërtime sipas projekteve model (1+1, 1+2, 1+3) me metodologji modulare, me konstruksion metalik parafabrikat dhe muraturë/panele parafabrikatë fiber cimento (antisizmike, eficience te larte energjie, etj)

Versioni 2 – Ndërtime sipas projekteve model (1+1, 1+2, 1+3) me metodologji tradicionale, ndërtim në vend, me konstruksion beton arme, me muraturë tulle me termoizolim, etj

Rindërtimi i Banesave individuale do të ketë shpërndarje në territorin e bashkive të lartpërmendura. Rindërtimit i tyre mund të bëhet në mënyrë të grupuar ose vec e vec (në banesat ekzistuese) sipas përcaktimit të shesheve të ndërtimit të caktuara në Planet e Detyruara Vendore. Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!