Rihapen aeroportet në Moskë pas sulmit ukrainas

schedule12:20 - 21 Gusht, 2024

schedule 12:20 - 21 Gusht, 2024

Aeroportet e Moskës janë kthyer në normalitet pas kufizimeve të përkohshme që u vendosën gjatë natës në tre aeroporte në kryeqytetin rus për shkak të një sulmi me dron ukrainas.

Kufizime të përkohshme u vendosën në aeroportet Vnukovo, Domodedovo dhe Zhukovsky nga ora 02:31 e mëngjesit deri në orën 06:30.

Kryeqyteti rus brenda natës u bë objektivi i “njërit prej më të mëdhenjve” në historinë e tij të sulmeve me dron ukrainas, njoftoi kryebashkiaku i Moskës Sergei Sobyanin.

Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, “11 drone u shkatërruan” gjatë natës mbi territorin e Moskës dhe rrethinat e saj.

“Është një nga tentativat më të mëdha të sulmeve të kryera ndonjëherë kundër Moskës me mjete ajrore pa pilot”, theksoi Sobyanin.

Të paktën tre dronë u rrëzuan në rajonin e Podolsk, në pjesën jugore të rajonit të Moskës, pa shkaktuar lëndime apo dëme, sipas të njëjtit burim.

Në total, gjatë natës së kaluar 45 dronë ukrainas u shkatërruan nga sistemet ruse kundërajrore mbi rajonet e Moskës (11), Bryansk (23), Belgorod (6), Kaluga (3) dhe Kursk (2), Ministria ruse e Mbrojtja njoftoi nga ana e saj.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!