Prej kohësh, diva e muzikës botërore Rihanna është tërhequr nga muzika për t’ju përkushtuar plotësisht kompanisë kozmetike “Fenty Beauty”. Katër vite më parë, fituesja e “Grammy” lançoi albumin e tetë “Anti” dhe që prej atëherë nuk ka qenë aktive në muzikë. Në një intervistë për Access Online, këngëtarja tha se albumi i saj i shumëpritur do të publikohet më shpejt se sa mendojnë fansat e saj.
“R9” do të titullohet albumi i ri, megjithëse këngëtarja nuk dha detaje për publikimin e tij. “Mezi po pres që të publikoj diçka për të cilën jam vërtet krenare dhe e lumtur. Me siguri që do të jetë shumë më shpejt nga sa mendojnë fansat e mi, por nuk dua të jap më shumë detaje sepse kam mjaftueshëm stres dhe pyetje për ‘R9’. E mbaj mend mirë ditën kur nisa punën për ‘Anti’.
Ishte dita ime e parë në studio, pra ishte ende herët. Një paparac më kapi duke hyrë në studio dhe pas kësaj, ata menduan se albumi im po dilte atë javë. Në të kaluarën, unë e kam bërë një album për tre muaj, por tani nuk e kam luksin të bëj një gjë të tillë sepse kam edhe ‘fëmijë’ të tjerë.”, tha Rihana duke iu referuar angazhimit që ka për kompaninë kozmetike.
Ndërkaq, në një intervistë për Entertainment Tonight, Rihanna zbuloi se po punon për të sjellë një këngë të re. “Unë jam gjithmonë duke punuar në muzikë dhe kur të jem gati do të dalë. Nuk do të zhgënjeheni kur të ndodhë. Do t’ja vlejë.”, tha Rihanna.
Kanë kaluar katër vjet që kur bukuroshja nga Barbados lançoi albumin e saj të tetë “Anti”. Gjatë kësaj periudhe, këngëtarja i është dedikuar markës së kozmetikës. Rihanna lansoi Fenty Beauty në vitin 2017, e cila tashmë është një ndër markat më të suksesshme në treg. /abcnews.al/