Rifillimi i shkollës, mësuesit të shqetësuar: Mësimi me turne dhe masat asnjë efekt pozitiv

schedule09:49 - 11 Shtator, 2020

schedule 09:49 - 11 Shtator, 2020

Tre ditë përpara fillimit të shkollës për të gjithë nxënësit në Shqipëri, shqetësimi mbi pandeminë vjen e shtohet tek të gjithë qytetarët, ndërsa në deklarata të ndryshme ekspertët e shëndetit kanë thënë se mund të ketë shtim të rasteve të të infektuarve, pikërisht pas hapjes së institucioneve të arsimit.

Për të folur në lidhje me këtë çështje dhe pikëpyetje të shumta që kanë lindur në këtë situatë jo të zakonshme, të ftuar në studion ABC-ja e mëngjesit me gazetarin Enkel Demi ishin psikologia Sibora Kollaci, dhe mësuesit Alketa Ipeku e Ardi Stefa.

Sipas psikologes Kalluci pavarësisht situatës me sëmundjen hapja e shkollave është diçka e mirë pasi fëmijët prindërit por edhe mësuesit kanë kaluar situatë të vështirë që prej marsit.

“Hapja e shkollave është diçka e mirë qoftë në aspektin akademik qoftë edhe në atë emocional për fëmijët. Besoj se janë marrë masat e duhura por këtë do e shohim në vijim” u shpreh Kollaci.

Për mësuesit Ipeku dhe Stafa, problematikat vijojnë të mbeten shqetësuese.

Ata thonë se masat e marra, mësimi me turne apo distancimi fizik në shkolla janë masa të cilat nuk do të kenë asnjë efekt.

Si të mos mjaftojë kjo, ata u shprehën se nuk janë ndihmuar nga shteti dhe nuk kanë gjetur mbështetje askund.

Si një mënyrë parandalimi dhe kujdesi ndaj shëndetit të tyre por edhe të nxënësve, ata deklaruan se kanë kërkuar që tu bëhet testi dhe analiza të tjera përpara fillimit të procesit mësimor por nuk kanë gjetur asnjë përgjigje.

 “Është e vështirë jemi përballë një sfide të re por pavarësisht jemi pro hapjes së shkollave. Në radhë të parë në situatën në të cilën ndodhemi, masat duheshin marrë por edhe mësuesit duheshin ndihmuar. Mësuesve duheshin bërë testet dhe të gjithë analizat për të parë sa të rrezikuar apo të imunizuar janë ata. Shteti duhej të kishte marra masa në lidhje me këtë.

Askush nuk e di se në çfarë situate shëndetësore ndodhet. Nuk është thjesht dezinfektimi apo larja e duarve që mund të frenojë epideminë, së pari duhet të kujdesemi për mësuesit. Ata janë të moshës 40 e lartë, aq më tepër që mundtë kemi mësues me probleme të tjera shëndetësore të cilët janë më të rrezikuar ndaj sëmundjes. Tjetër problem është mbajtja e maskave, maska nuk është efektive. Nxënësi duhet ta shohë mësuesin në mësim”, u shpreh mësuesja Ipeku.

Edhe Ardi Stefa, mësues në qytetin e Vlorës mbajti të njëjtin qëndrim si Alketa Ipeku e cila ushtron profesionin e saj në Elbasan.

“Patjetër që zhvillimi i një mësimi normal është i domosdoshëm. Pandemia do të lërë pasojat e veta si tek mësuesit edhe të nxënësit. Qeveria po shmang në mënyrë të qëllimshme trajtimin dhe kujdesin ndaj mësuesit. Le ti marrim me radhë. Kemi një muaj që kërkojmë që mësuesit të testohen po ashtu edh personeli ndihmës. Janë kategori që janë më të ekspozuarit ndaj virusit.

Nëse do të kërkojmë që për hir të një virusi, apo për shkak të insuficenës të sistemit shëndetësor apo politik, të shkatërrojmë brezat dhe arsimin, atëherë më vjen keq por jemi të dështuar. Këta fëmijë nëse do ruajnë distancën nëpër shkolla, kur të dalin prej aty do të bëhen bashkë dhe ja humbi distanca.

Në katër turne siç është vendosur zhvillimi i mësimit, nuk matet dot temperatura për të gjithë nxënësit, nuk ka kohë fizike për ta kryer këtë procedurë. Për më tepër, edhe procesi tjetër, ndërrimi i turneve, hyrja në shkollë e nxënësve të tjerë, larja e duarve e të tjera janë të pamundura për tu kryer. Për mendimin tim shkollat duhet të kthehen siç ishin”, sqaroi ai.

Ndërkohë psikologia Kollaci këshilloi se, në këtë situatë prindërit dhe mësuesit duhet të ruajnë pozitivitetin ndaj fëmijëve tek të cilët përcillen shumë lehtë ndjesitë emocionale, siç është frika dhe pasiguria.

Ajo thekson se për mësuesit mësimi me turne do shkaktojë lodhje dhe pasiguri, ndërsa shtoi se për ata duhet të ketë vëmendje më të madhe në lehtësimin por edhe motivimin e tyre që situata të jetë me sa më pak pasoja.

“Dua të them që një ndër aftësitë e njeriut është aftësia për tu përshtatur në ngjarje të reja. Gjithë bota kryejnë studime në këtë fushë dhe mundohen të nxjerrin më të mirën për arsimin. Kam patur shumë kontakte nga prindërit të cilët gjatë kësaj periudhe kanë qenë të lodhur pasi shumë prej tyre kanë profesione të ndryshme dhe nuk mund të bëjnë të gjithë mësuesin.

Për prindërit patjetër që është lehtësi por edhe për mësuesit është kënaqësi kur punon duke qenë afër me fëmijën. Puna e mësuesit me orare të zgjatura është shumë e lodhshme. Për mësuesit duhet të punohet më shumë për të vlerësuar figurën e tyre.

Ata kanë nevojë për motivim, përveçse vaksinimit që u duhet bërë falas, shteti duhet ti sigurojë edhe asistencë psikologjike falas. Mësuesi duhet të ketë privilegje ekstra që kjo periudhë të kalojë me sa më pak pasoja.

Në gjithë këtë situatë kur është gjitha e panjohur, të mbajmë frymën pozitive por të jemi për fëmijët burim informacioni, mënyra si reduktohet ankthi dhe frika është duke dhënë informacion dhe furnizuar nxënësit me dije.

Fëmijët përthithin të gjithë frikën që i transmetohet. Ne kemi për detyrë të jemi rregullues emocional për fëmijët. Kemi një punë jo të vogël përpara”, këshilloi psikologia.

N.D./abcnews.al