Aktori hollivudian Riçard Gere dhe bashkëshortja e tij e tretë janë në pritje të fëmijës së tyre të parë. Ata lidhën martesë në prill të këtij viti, ndërsa kanë një diferencë moshe 34 vjet.
U martua në prill për herë të tretë, dhe tashmë aktori i shquar i Hollivudit Riçard Gere, do të bëhet baba për herë të dytë në moshën 69 vjeçare.
Mediat në Spanjë shkruajnë se ylli i ekranit dhe gruaja e tij 34 vjet më e re, Alehandra Silva, janë në pritje të ëmbël. Për këtë lajm nuk është dhënë asnjë konfirmim, por nuk është bërë as përgënjeshtrim nga çifti.
Aktori ka një djalë 18 vjeçar nga martesa e tij e dytë me aktoren Keri Louell. Ndërsa 35 vjeçarja Alehandra Silva, një sipërmarrëse e re dhe e suksesshme në Spanjë, ka një djalë 6 vjeçar nga martesa e saj e parë.
Bashkëshortja spanjolle e Ricard Gere është një grua e angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, një fushë që e ka forcuar edhe më shumë lidhjen me aktorin hollivudian.
Pas martesës me të në prill të këtij viti në Madrid, Riçard Gere u shpreh se ishte martuar me një grua inteligjente, të ndjeshme, të impenjuar në çështjet sociale, të duruar dhe të aftë për të falur. Tashmë ai ndan jetën mes Spanjës dhe SHBA. /abcnews.al