Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar pas deklaratës së eurodeputetëve të publikuar nga PE për çështjen e Marrëveshjes së 5 qershorit dhe integrimin.
Meta shkruan se falenderon partnerët europianë për “mbështetjen e fortë për çeljen e negociatave” ndërsa thekson se kushti i parë është miratimi i Marrëveshjes së 5 Qershorit.
“Sërish në shina”, shkruan presidenti, duke shtuar se nuk duhet të humbasim trenin e negociatave.
Në postimin e tij Meta shkruan:
Falenderoj partnerët tanë europianë për mbështetjen e fortë për çeljen e negociatave, ku kushti i parë është miratimi urgjent i Marrëveshjes së 5 Qershorit. “BACK ON TRACK” – S’mund të humbasim trenin e negociatave! ????
Kujtojmë këtu se tre eurodeputetët David McAllister, Isabel Santos dhe Manolis Kefalogiannis, me anë të një deklarate i kanë kërkuar mazhorancës që të miratojë pa ndryshime Marrëveshjen e 5 qershorit me argumentin se kjo do të ndihmonte në mbajtjen e konferencës së parë të negociatave për integrimin e Shqipërisë në BE.
Lexo edhe: Ribotohet deklarata e eurodeputetëve për “Zgjedhoren” dhe ndryshimet Kushtetuese
Tre eurodeputetët kërkojnë gjithashtu nga mazhoranca që të bëjë ndryshimet pa prekur thelbin Marrëveshjes së 5 qershorit.
“Është e rëndësishme që të arrihet një marrëveshje që të mund të mundësojë dialogun dhe konsensusin mes partive politike në mënyrë që të mbahet konferenca e parë e negociatave për integrimin e vendit në BE,” thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Duke nënvizuar se çdo vend ka të drejtën të përcaktojë vetë sistemin elektoral që do të përdorë sipas kontekstit kombëtar dhe konsensusit të brendshëm.
Megjithatë, sipas eurodeputetëve, është e rendësishme që në këtë drejtim të aplikohen shembujt më të mirë ndërkombëtar dhe që ndryshimet të bëhen në mënyrë transparente dhe të fillojnë të paktën një vit para zgjedhjeve elektorale të planifikuara.
“Ne besojmë se Shqipëria do t’i respektojë këto rekomandime dhe do të punojë për të arritur rezultate thelbësore në drejtim të reformave që po ndërmerren”, shprehen eurodeputetët. /abcnews.al