Riatdhesohen 100 shqiptarë, aplikuan për azil në vendet e BE

schedule18:45 - 16 Janar, 2019

schedule 18:45 - 16 Janar, 2019

Rreth 100 azilkërkues shqiptarë u riatdhesuan nga Franca e Gjermania. Këto riatdhesime, që janë dhe të parat për vitin 2019, u bënë për shkak se asnjëri prej shtetasve që kishin kërkuar azil në vendet e BE nuk u është pranuar kjo kërkesë. Zëvëndësministrja e Brendshme Rovena Voda ka bërë një apel për shtetasit shqiptarë që të mos aplikojnë për azil të paligjshëm në vendet e BE-së, pasi sipas saj,  shanset për ta përfituar janë ‘zero’. Ajo ka sqaruar se e drejta për të migruar i përket çdo shtetasi, por vetëm nëpërmjet procedurave normale, ligjore të pranuara nga të gjitha vendet demokratike. Gjithashtu, zëvëndësministrja ka theksuar faktin se vendet e Bashkimit Europian që deri dje janë treguar bujur lidhur me kërkesat e shqiptarëve për azil, prej këtij viti aplikojnë një legjislacion të ashpërsuar dhe të reduktuar për kohën e procesimit të kërkesave për azil.

“Si zëvendësministre e Brendshme mendoj se kam për detyrë t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të mos aplikojnë dhe të mos udhëtojnë apo migrojnë drejt vendeve të BE-së, me qëllimin e vetëm për të kërkuar azil. Duhet të kuptojnë edhe një herë sepse kërkesa për azil është një kërkesë, e cila nuk mund të pranohet nga vendet e BE, për shkak se Shqipëria është në listën e vendeve të origjinës së sigurt, pra do të thotë është një shtet me të gjithë standardet, për një jetesë normale, një shtet demokratik, me një qeverisje demokratike dhe shtetasit shqiptarë kanë shanse zero për t’u pranuar kërkesat për azil.

E njëjta gjë do të ndodhë edhe me Francën. Duke filluar nga janari 2019, legjislacioni francez i ndryshuar ka kaluar në parlamentin francez, shumë shpejt hyn në fuqi dhe ky legjislacion do të ashpërsohet. Kriteret do të jenë shumë më të rrepta, koha e shqyrtimit të kërkesës, pra aplikimit për azil do të jetë shumë më e shkurtër, dhe shtetasit shqiptarë të cilët padrejtësisht kanë aplikuar për azil në Francë, do të kthehen, do të riatdhesohen në territorin e Republikës së Shqipërisë”, u shpreh zv/ministrja e Brendshme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!