Riatdhesimet nga Siria, Rama: Operacioni ishte i suksesshëm, kemi identifikuar të tjerët

schedule13:48 - 27 Tetor, 2020

schedule 13:48 - 27 Tetor, 2020

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar të suksesshëm operacionin e sjelljes në atdhe të familjes Radha dhe Endri Dumanit, të cilët u nxorën nga kampi famëkeq “Al Hol” në Siri.

Në një konferencë për mediat, pas uljes së avionit në Rinas, Rama u shpreh se kanë mbyllur një fazë të operacionit dhe tani kanë bazën dhe identitetet e nevojshme për të vijuar me riatdhesimin e të tjerëve.

“Është një arsye e pazakonshme më vjen shumë mirë që kemi mbyllur fazën e parë të një operacioni të ngatërruar sidoqoftë të suksesshëm dhe ajo që është më e rëndësishme është që tani kemi bazën për të vazhduara me fazën e dytë. Fëmijët e tjerë janë indentifikuar, janë marrë një pjesë e mirë e kontakteve dhe besoj se do të kthejmë edhe pjesën tjetër këtu në Shqipëri”, tha Rama.

Më tej kreu i qeverise theksoi se operacionet janë komplekse, ndërsa shtoi se disa fëmijë janë në vështirësi pasi prindërit e tyre vijojnë të jenë të radikalizuar.

“Bëhet fjalë për dy operacione komplekse që lidhen me futjen në territore ku duhen marrë parasysh më shumë se një faktor. Nuk kem i asnjë marrëdhënie me regjimin Damaskut. Duhet edhe leje e kalimit të tyre. Bëhet fjalë për të parandaluar surpriza që mund të vijnë nga momenti në moment për njerëzit. Ajo që dua të them është që nuk ka dyshim që nxjerrja e fëmijëve nga një ferr nuk është si nxjerrja nga kopshti. Janë në mes edhe disa prej prindërve që mbeten në pozicionet e tyre radikale. E gjitha është komplekse. Puna e bërë në kamp ka qenë intensive. Siç e kam thënë edhe sot, e gjithë kjo është mundësuar falë strukturës së gjeneralit Abaz Ibrahim që më ka konfirmuar sot se operacioni do të vazhdojë. Është e vërtetë që edhe disa fëmijë janë në vështirësi të tyre. Por unë nuk dua të jap detaje”, tha ai.

Floresha Rasha me fëmijët e saj Amar Rasha, Emel Rasha dhe Hatixhe Rasha së bashku me djalin e familjes Dumani, Endri Dumani janë shqiptarët që u nxorën nga kampi famëkeq “Al Hol”. g.v/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!