Rezonanca e re magnetike diagnostikon sëmundjet e rralla

schedule16:33 - 17 Janar, 2019

schedule 16:33 - 17 Janar, 2019

Është instaluar rezonanca e re magnetike në shërbimin e neokirurgjisë. Sipas mjekëve me anë të kësaj pajisje, mund të diagnostikohen sëmundjet e rralla, të cilat kanë një shkallë më të vështirë ekzaminimi.

Nuk është e rastësishme kjo vizitë e kryeministrit Edi Rama në shërbimin e neurokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Investimi më i ri është Rezonanca magnetike që sjell pranë qytetarëve teknologjinë më të fundit të ekzaminimit.

Mjeku neurokirurg Arben Seferi shpjegon se me anë të saj mund të disgnostifikohen sëmundjet e rralla, të cilat kanë një shkallë më të vështirë ekzaminimi.

“Është aparati i vetëm në territorin shqiptar me këtë fuqi, që do të thotë fuqia e aparatit përkthehet edhe në cilësinë e ekzaminimit. Në cilësinë e ekzaminimit janë aplikuar edhe softëare të reja, që bëjnë të mundur që të diagnostikojmë sëmundje, të cilat janë më të rralla, që nuk janë të rutinës. Kemi futur spektroskopinë, traktografinë, të cilat mund t’i realizojmë këtu”.

Për mjekët me përvojë në fushën e neurokirurgjisë, teknologjia e avancuar është një ndihmë e madhe për analizimin e nevojshëm të sëmundjeve neurologjike.

Ata janë optimistë se standardet e shërbimit në qendrën më të madhe spitalore në vend po përafrohen me ato të qendrave spitalore më të njohura europiane.

 “Ne jemi kapur nivelin në prag të researchit. Në spitalet universitare të Europës, kjo është e sotmja dhe e ardhmja. Kjo është realizuar me një kërkese që i kam bërë Kryeministrit para dy vitesh”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu tha se gama e përdorimit të pajisjes është më e gjerë sesa vetëm në shërbimin ku ajo është instaluar.

“Rezonanca u buxhetua me buxhetin e vitit 2018. U instalua, është kolauduar, tani është futur në funksion. Në Shqipëri kemi tashmë një normë që klasifikohen me vende si Rumania, Hungaria, 7 rezonanca, 24 skanera, 5 angiografe, 3 akseleratorë, që do të thotë se plotësojnë  në 80 % të nevojave për këto  diagnostika,  të cilat janë shumë të rëndësishme, qoftë për diagnostifikimin e patologjive të ndryshme, qoftë për ndjekjen e mëtejshme. E më e rëndësishme, kjo rezonancë nuk i shërben vetëm një shërbimi, pra, jo vetëm neurokirurgjisë. E ndërkohë jemi duke investuar jo vetëm për disgnostifikimin dhe trajtimin, por edhe për research-in, që është një ndër elementët kryesor në QSUT.”

Por ky investim nuk është i vetmi. Një rezonancë e re i është shtuar edhe Spitalit Rajonal të Elbasanit. Sa i përket listës së pritjes u nënvizua se për rezonancën është  deri në 5 javë, kurse për një skaner deri në tre javë. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!