Liverpool nuk ia doli të shpallet më i miri i Europës në këtë sezon, pasi u mposht minimalisht nga Real Madrid në finalen e Champions League.
Një humbje që dhemb për “The Reds” të cilët kërkonin të grinin ata trofeun e Champions në “Stade de France”, por goli i Vinicius Jr u preu shpresat.
Pas ndeshjes ka folur edhe trajneri Jurgen Klopp, i cili ishte i zhgënjyer për këtë disfatë, ndërsa nuk nguroi të shprehej se disa vendime ishin edhe kundër tyre.
“Në dhomat e zhveshjes askush nuk mendon se ishte një sezon i mrekullueshëm për momentin. Ndoshta na duhen disa orë për këtë. Dy vendimet kundër nesh ishin diferencat më të vogla të mundshme.
Kemi bërë një lojë të mirë, jo një lojë perfekte, nuk mendoj se është e mundur një lojë perfekte ndaj një kundërshtari të ngritur me një formacion të thellë.
Kemi pasur shumë goditje, por jo më të pastra. Courtois bëri dy pritje të mëdha. Pësuam një gol nga një rivënie e vogël. Valverde donte të gjuante, Vinicius ishte aty dhe kaq.
Ndihet ndryshe. Nuk është keq të arrish në finale. Është një lloj suksesi. Jo suksesi që dëshiron të kesh.
Kam një ndjenjë të fortë se do të vijmë përsëri. Djemtë janë vërtet konkurrues. Është një grup i jashtëzakonshëm së bashku. Do të kemi një grup të jashtëzakonshëm sezonin e ardhshëm.
“Ku është sezoni tjetër? Stamboll? Rezervoni hotelin”, përfundoi trajneri i Liverpoolit. /f.a/abcnews.al