TIRANË- Gjykata e Posaçme dënoi me 11 vite burg biznesmenin e shpallur në kërkim, Rezart Taçi.
Ai akuzohet për tentativë pastrimi të 18 milionë eurove të “Cosa Nostra”-s italiane, në bashkëpunim me disa italianë, me të cilët vepronte si grup i strukturuar kriminal.
Paratë u bllokuan në një bankë në Shqipëri në nëntor 2021, ndërsa Taçi u gjykua dhe u dënua në mungesë nga Gjykata e Posaçme.
Avokati Idajet Beqiri, theksoi në “Ora e Fundit” se historia e Rezart Taçit është një histori tragjike, ndërsa tregoi se Berisha ngriti një luftë të ashpër ndaj tij në vitin 2005, ku e detyroi Taçin të vihej në funksion të pasurimit të familjes së tij.
Ai madje theksoi se familja e Berisha futi duart në procesin e privatizimit të ARMO-s, ku shqiptarët humbën miliona euro nga ky proces.
Avokati theksoi se familja e Berishës e detyroi Taçin të mos jepte as rrogat e punëtorëve të ARMO-s, para këtu, që sipas tij përfunduan në xhepat e familjes së Sali Berishës.
“Historia e tij është tragjike. Çfarë lufte ngriti Berisha kundër Rezart Taçit në 2005. Nuk i la gjë pa thënë, kriminel, e akuzoi për pastrim parash, thjesht dhe vetëm për ta nënshtruar dhe që ta vinte nën funksion të familjes së vet dhe të pasurohet familja e tij mbi kurrizin e Taçit.
Familja Berisha i futi duart thellë në privatizimin e ARMO dhe Taçi e ktheu ARMO-n në funksion të pasurimit të familjes Berisha. Familja Berisha e detyruan Taçin të mos jepte rrogat ndaj punonjësve. Lekët e punëtorëve të ARMOS përfundon te familja Berisha”, theksoi ai.


