Rey Manaj është pranë kalimit te Hellas Verona. Ekipi ku shkëlqyen sezonin e fundit dy mbrojtësit Marash Kumbulla dhe Amir Rrahmani, ka piketuar sulmuesin e kombëtares shqiptare si përforcimin e duhur për repartin ofensiv dhe po negocion me agjentin e lojtarit dhe Barcelonën.
Sulmuesi lushnjar, i cili është pjesë e “gjigantit” spanjoll dhe aktivizohet me ekipin B katalanas, u bë i famshëm me moshat e Interit, debutoi pesë vite më parë me zikaltrit në Serie A, por nuk ia ka dalë të realizojë pritshmëritë e mëdha. Kalimi te Hellas mund të jetë vendimi i duhur për 23-vjeçarin, i cili ka luajtur në Itali edhe me ekipe si Cremonese Pescara dhe Pisa.
Nëse ndodh transferimi në Verona, numri i lojtarëve shqiptarë që luajnë në elitën e futbollit italian do të shkonte 11 pas Elseid Hysaj (Napoli), Marash Kumbulla (Hellas Verona), Amir Rrahmani (Napoli), Berat Gjimshiti (Atalanta), Thomas Strakosha (Lazio), Vedat Muriqi (Lazio), Etrit Berisha (Atalanta për momentin), Kastriot Dermaku (Parma), Ardian Ismajli (Spezia) dhe Mërgim Vojvoda (Torino). /abcnews.al