Rexhep Rraja kërkon lirinë në Apelin e Tiranës

schedule11:57 - 13 Tetor, 2018

schedule 11:57 - 13 Tetor, 2018

Rexhep Rraja kërkon lirimin nga masa e arrestit me burg duke apelur vendimin e Gjykatës së Krujës. Djali i deputetit socialist u akuza për përndjekjen e Xhisiela Malokut. Por mbrojtja pretendon në arsyetimin e kërkesës për prishjen e masës së arrestit se marrëdhënia mes dy të rinjve është normalizuar.

Pas “arrestit me burg” dhënë nga Gjykata e Krujës më 2 tetor për Rexhep Rrajën, i akuzuar se ka përndjekur ish të dashurën e tij Xhisiela Maloku, djali i deputetit Rrahman Rraja kërkon lirinë duke apeluar vendimin.

Gjyqtarja Shpresa Becaj do të shqyrtojë kërkesën e Rrajës për liri dorëzuar më 8 tetor nga avokati Ilir Murati, ndërsa hetimet për këtë dosjen janë ende të hapura nga prokurorja Mirela Kapo.

Ilir Murati, avokat i Rexhep Rrajës: “Rexhep Rraja nuk e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. Pra, aktualisht ai mbahet në masën e sigurisë “arrest me burg” me dyshimin se ka kryer përndjekje. Nëse ka qenë kjo situatë, kjo ka qenë që në fillim, ditën e kallëzimit. Duket qartë që çdo ditë se e dëmtuara ose vitkima e veprës penale, Xhisiela, vazhdon gati proteston që nuk është e vërtetë që Rexhepi mua më ka dhunuar, më ka përndjekur etj etj. Ëhtë një motiv xhelozie.”

Ilir Murati, theksoi se, në gjykatën e Apelit Tiranë, do të kërkohet prishja e vendimit të Gjykatës shkallës së Parë Krujë “arrest me burg” për 25-vjeçarin dhe lirimin e menjëhershëm të tij.

“Ne shpresojmë që gjykata e apelit do të jetë objektive, do të verifikojë të gjithë aktet e fundit, qe janë ato të muajit shtator. Shpresojmë që të marrë parasysh dhe kallëzimet që bën viktima. Ka bërë kallëzim në një datë dhe të nesërmen e tërheq. Përsëri ka ndodhur dhe 3-4 herë gjatë muajit korrik.”

Ndërkohë nuk është përcaktuar ende dita se kur do të shprehet gjykata e e Apelit Tiranë për një nga historitë e dashurisë që trazoi edhe krerët e politikës në vend. ABC News ka siguruar nga grupi hetimor një përgjim ambiental ndërmjet Xhisiela Malokut dhe ish të dashurit të saj Rexhep Rraja, i bërë më 29 shtator në ambientet e prokurorisë së Krujës.

Xhisiela Maloku: Do ikim pastaj të hamë ndonje gjë se vdiqa?

Rexhep Rraja: Po a tu prit Indriti, pra do ikim me hanger bukë?

Xhisiela Maloku: A do vish ti?

Rexhep Rraja: Po vi, vi unë. Prandaj po t’them mos prish punë.

Xhisiela Maloku: Jo mor s’prish punë, po t’i m’hangre, m’çmene. I kam hudh fare, më kanë marrë në pyetje disa herë.

Të premten për dosjen “Xhisiela”, u pyet nga prokuroria e Tiranës për më shumë se 30 minuta kreu i opozitës Lulzim Basha. Ndërsa të kallzuar nga Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, janë edhe deputetët e PD-së Edi Paloka dhe Enkelejd Alibeaj. Shkak janë bërë deklaratat e këtyre të fundit sa i takon çështjes se Xhisiela Malokut.

Në këtë padi thuhet se deputetët e PD kanë shpërndarë fakte të pavërteta për një ngjarje kriminale si ajo e Fushë-Krujës, për të cilën djali i deputeti të PS, Rexhep Rraja është në burg për përndjekje të ish-të dashurës së tij. Kallëzimi vjen pas denoncimit të ish oficerit të Krujës Emiljano Nuhu, i cili pretendon se është kërcënuar me armë për të mbyllur dosjen e djalit të deputetit të PS-së, Rrahman Rrahja, në prani të deputetit Taulant Balla. Gjithashtu Balla ka kallëzuar penalisht edhe ish oficerin Nuhu për ‘kallëzim të rremë’ si dhe gazetarin Basir Çollaku që realizoi intervistën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!