Konferenca mes kryeministrit Edi Rama dhe kancelares gjermane në Tiranë u mbyll me revoltën e gazetarëve shqiptarë nga Kosova, të cilët nuk u lejuan që të drejtonin pyetje për shkak të kohës së kufizuar.
Gazetari dhe analisti politik në Kosovë, Xhevdet Pozhari në një lidhje me “Skype” me “Radarin Informativ” në “ABC” u shpreh se gazetarët që kishin udhëtuar nga Prishtina në Tiranë janë të indinjuar pasi iu ndërpre fjala. “Ndalimi i gazetarëve për të pyetur Merkelin ka shkaktuar një indinjatë të thellë” tha ai.
Por, a mendon ai se kjo ka qenë me qëllim? “Mendoj kjo pyetje duhet t’i shtrohet Ramës, ndoshta nuk e kapërdirë lehtë ndonjë pyetje. Për gazetarët e Kosovës kjo mbetet një nga shkeljet më të rënda” tha ai.
Për raportin jo të mirë mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit ai thotë se shkaktar është Vuçiç. “Raportet mes dy kryeministrave shqiptarë nuk janë në nivelin më të mirë të mundshëm. Serbia kërkon që të jetë lokomotiva e Ballkanit dhe Rama është duke ia ofruar këtë mundësi”.
Kreu i qeverisë shqiptare i kërkoi sot Albin Kurtit që të lerë teoritë konspirative dhe të pranojë që Kosova të futet në nismën “Ballkani i Hapur”.
Por cfarë mendon Pozhari?
“Ramës mund t’i duket konspiracion që janë vrarë gjitha ata njerëz në Kosovë dhe që Vuçiç është pinjoll i Sheshelit. Ndoshta ia ka mbushur mendjen Vuçiç. Siç duket e paska bindur edhe Ramën. Rama e shënjestroi Kosovën si penguese të procesit të paqes”.
Por a do të jetë e njëjtë vëmendja e Berlinit për Ballkanin pas largimit të Merkelit? “Trajektorja e Gjermanisë nuk ndryshon” tha ai./ Abcnews.al