Revista italiane: Vizitoni Rivierën Shqiptare, një nga destinacionet magjike të Evropës

schedule16:32 - 29 Korrik, 2024

schedule 16:32 - 29 Korrik, 2024

Vera në Evropë është një stinë e bukur, por gushti është një nga muajt më të ngarkuar për turizmin, që do të thotë se do t’ju duhet të ndani mrekullitë me shumë njerëz, sipas një artikulli të botuar në revistën italiane të udhëtimeve “Lonely Planet Italia”.

Për fat, ne kemi zbuluar disa nga vendet e shumta magjike të kontinentit – ku ju mund të qëndroni larg turmave të mëdha.

“Lonely Planet Italia” ka renditur gjashtë vendet më magjepsëse për të udhëtuar në verën e vitit 2024 – mes të cilave përfshihet edhe bregdeti i Shqipërisë.

Riviera Shqiptare – Rërë, diell dhe mrekulli në bregdetin e Jonit

Edhe pse nuk është më një perlë e fshehur – siç ishte 20 vjet më parë, kur plazhet ishin gjysmë të zbrazëta dhe çmimet vërtet të ulëta, bregdeti mahnitës i Shqipërisë së Jugut mbetet një kënaqësi për turistët që janë në kërkim të diellit, rërës dhe ushqimeve të detit.

Saranda është një qytet festash më vete, me bare dhe restorante nga më të mirat.

Nëse preferoni vende më të qeta, drejtohuni në bregdetin e Himarës, të rrethuar nga një numër plazhesh të bukura – (vizitoni Plazhin e Potamit, pak më në jug).

Gushti ju garanton diell, ujëra të ngrohta dhe të këndshme dhe temperatura jo shumë të nxehta.

Shezlonget dhe çadrat janë të disponueshme në një numër të kufizuar, por gjithmonë mund të kërkoni plazhe të qeta me rërë në vende si Palasa, Borshi, Buneci dhe në ishujt jashtë Ksamilit.

Nëse niseni drejt qafës epike të Llogorasë në gjirin e Vlorës, në fund të gadishullit të Karaburunit do të gjeni disa resorte dhe plazhe të izoluara, të arritshme me varkë.

Për një pasdite ndryshe, drejtohuni në sitin arkeologjik të Butrintit, ku do të eksploroni rrënojat greke, romake dhe bizantine – të cilat datojnë 2500 vjet më parë.

Gjashtë vendet më të mira në Evropë për të vizituar në gusht 2024:

1- Riviera Shqiptare
2- Gadishulli i Pelionit, Greqi
3- Minho, Portugali
4- Austria Qendrore
5- Bregdeti i Belgjikës
6- Arkipelagu i Stokholmit, Suedi

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!