Sondazh

Protestat e Sali Berishës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Revista amerikane: Harrojeni Italinë! Shqipëria ofron të njëjtën magji mesdhetare

schedule08:30 - 17 Shkurt, 2026

schedule 08:30 - 17 Shkurt, 2026

Pamjet ikonike të brigjeve italiane, fshatrat pastel dhe rrugicat me kalldrëm që ndodhen në Mesdhe janë kthyer në ëndrrën e çdo turisti. Por, bashkë me popullaritetin, janë rritur ndjeshëm edhe çmimet. Sot, pushimet në Itali shpesh shoqërohen me fatura “të kripura”, turma të mëdha turistësh dhe një përvojë gjithnjë e më të vështirë për t’u përjetuar në mënyrë autentike, shkruan Matthias Binder në revistën amerikane të udhëtimeve “Travelbinger”.

Ndërkohë, në juglindje të Evropës, një destinacion i ri po fiton vëmendje – si alternativa më inteligjente dhe shumë më ekonomike: Shqipëria!

Pushime mesdhetare me buxhet të përballueshëm



Shqipëria renditet ndër destinacionet më të lira në Evropë. Shpenzimi mesatar ditor për një turist arrin rreth 109 dollarë, ndërsa me një buxhet ekonomik mund të udhëtohet edhe me rreth 44 dollarë në ditë për person. Në krahasim, në Itali shpenzimet mesatare ditore kapin rreth 237 dollarë.

Një javë pushime në Shqipëri kushton mesatarisht rreth 762 dollarë për person, duke përfshirë akomodimin, ushqimin, transportin dhe vizitat turistike. E njëjta periudhë në Itali arrin në rreth 1,656 dollarë. Diferenca? Gati 70% më pak, për një eksperiencë të ngjashme mesdhetare.

Riviera Shqiptare, alternativa e re e Mesdheut

Një nga asetet më të forta të vendit është Riviera Shqiptare, që shtrihet nga Vlora deri në Sarandë, me mbi 120 kilometra vijë bregdetare. Ujërat e kristalta të Jonit, plazhet e paprekura dhe fshatrat bregdetare me atmosferë të qetë – po e kthejnë këtë zonë në një nga destinacionet më të kërkuara në Evropën Juglindore.

Plazhet shqiptare krahasohen shpesh me ato të Greqisë apo të rivierës italiane, por me çmime dukshëm më të ulëta. Një drekë me produkte deti, verë vendase dhe pamje panoramike kushton sa një vakt i zakonshëm në zonat më turistike të Italisë.

Ekspertët e turizmit sugjerojnë ta vizitoni vendin, gjatë sezonit (maj–qershor dhe shtator), kur temperaturat janë ideale dhe fluksi i turistëve është më i ulët.

Transport dhe akomodim me kosto të arsyeshme

Transporti publik në Shqipëri mbetet ekonomik. Një udhëtim me autobus nga Saranda në Tiranë kushton rreth 1,700 lekë, ndërsa linjat më të shkurtra, si Berat–Tiranë, rreth 400 lekë. Në krahasim me tarifat e trenave me shpejtësi të lartë në Itali, diferenca është e ndjeshme.

Sa i përket akomodimit, në Itali një dhomë dyshe në hotel 2–3 yje nis nga rreth 95 dollarë nata, ndërsa në Shqipëri dhe vendet fqinje mund të gjenden bujtina dhe hotele komode me çmime dukshëm më të ulëta, shpesh me mikpritje tradicionale.

Histori, kulturë dhe trashëgimi botërore

Përtej plazheve, Shqipëria ofron një trashëgimi të pasur historike. Parku Kombëtar i Butrintit dhe siti arkeologjik i Butrintit, pjesë e listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 1992 – dëshmojnë ndikimet greke, romake dhe osmane në rajon.

Edhe kryeqyteti, Tirana, me Sheshin Skënderbej dhe muzetë kombëtarë, ofron atraksione me tarifa simbolike, duke kombinuar arkitekturën moderne me historinë e pasur ballkanike.

Një sekret që nuk do të mbetet i tillë për shumë gjatë

Turizmi në Shqipëri ka shënuar një rritje të ndjeshme gjatë vitit 2024, me një fluks vizitorësh në rritje dhe investime të reja në infrastrukturë. Por me shtimin e interesit ndërkombëtar, çmimet po rriten gradualisht.

Ekspertët paralajmërojnë se kjo periudhë “e artë” e çmimeve të ulëta mund të mos zgjasë shumë. Ashtu siç ndodhi me Kroacinë dhe Portugalinë vite më parë, rritja e popullaritetit sjell edhe rritje të kostove.

Për turistët që kërkojnë diell, det, histori dhe gastronomi autentike me buxhet ekonomik, Shqipëria dhe Ballkani përfaqësojnë sot një nga alternativat më të mira turistike në Evropë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!