Reuters: Putin, i hapur për të negociuar me Trump për një armëpushim në Ukrainë

schedule08:32 - 20 Nëntor, 2024

schedule 08:32 - 20 Nëntor, 2024

Vladimir Putin duket i hapur për negociata me Donald Trump në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për një armëpushim në Ukrainë, por përjashton çdo kompromis për territorin dhe këmbëngul se Kievi duhet të heqë dorë nga aspiratat e saj për t’u bashkuar me NATO-n, raporton Reuters.

Reuters citon pesë zyrtarë, të cilët duke komentuar atë që Putin mund të pranojë në një marrëveshje me Trump, thanë se ai mund të bjerë dakord për një ngrirje të armiqësive në vijën e frontit në Ukrainë. Mund të ketë gjithashtu negociata për ndarjen e saktë të 4 rajoneve lindore të Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson.

Rusia gjithashtu mund të jetë e hapur për t’u tërhequr nga pjesët relativisht të vogla të territorit që mban në rajonet Kharkiv dhe Mykolaiv, në veri dhe jug të Ukrainës, thanë zyrtarët. Kremlini duket se, sipas të njëjtave burime, kërkon që Kievi të kufizojë madhësinë e forcave të armatosura ukrainase, por edhe të angazhohet që të mos kufizojë përdorimin e gjuhës ruse.

Megjithatë, në të njëjtën kohë, dy nga burimet theksojnë se vendimi i Biden për të lejuar Ukrainën të përdorë raketat amerikane ATACMS për sulme thellë brenda Rusisë mund të ndërlikojë dhe vonojë çdo zgjidhje dhe të forcojë kërkesat e Moskës. Nëse nuk arrihet një armëpushim, thanë të dy burimet, atëherë Rusia do të vazhdojë të luftojë.

Reuters foli gjithashtu me drejtorin e komunikimit të Trump, Stephen Chang, i cili tha se presidenti i ri amerikan “është i vetmi person që mund të bashkojë të dyja palët për të negociuar paqen dhe për të punuar për t’i dhënë fund luftës dhe për t’i dhënë fund vrasjeve”.

Për çfarë mund të bihet dakord?

Të pyetur se çfarë mund të sjellë një marrëveshje armëpushimi, dy nga burimet ruse iu referuan një projekt-marrëveshjeje që u miratua pothuajse në prill 2022 pas bisedimeve në Stamboll dhe të cilit Putini i është referuar publikisht si një bazë e mundshme për një marrëveshje.

Sipas këtij plani, një kopje e të cilit është parë nga Reuters, Ukraina do të duhej të pajtohej me neutralitetin e përhershëm në këmbim të garancive ndërkombëtare të sigurisë nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së: Britania, Kina, Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara.

Një nga zyrtarët rusë tha se nuk do të kishte asnjë marrëveshje nëse Ukraina nuk merrte garanci sigurie, duke shtuar: “Çështja është se si të shmanget një marrëveshje që do ta mbyllë Perëndimin në një konfrontim të mundshëm të drejtpërdrejtë me Rusinë një ditë”./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!