Humbja e demokratëve në Virxhinia nuk nxiti dyshime në Shtëpinë e Bardhë për agjendën politike ambicioze të Presidentit Joe Biden por shkaktoi nervozizëm tek disa demokratë në shtetet kritike elektorale.
Që nga fitorja e republikanëve në zgjedhjet për guvernator të Virxhinias të marten, mesazhi i Shtëpisë së Bardhë për demokratët që përballen me një proces zgjedhor konkurrues është i thjeshtë: votoni sa më shpejt projektligjin e shpenzimeve sociale dhe projektligjin për përmirësimin e infrastrukturës ose do ta gjeni veten përballë mundësisë së humbjes në betejën e rëndësishme elektorale të vitit 2022 për të ruajtur shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin, sipas deklaratave të zyrtarëve të qeverisë amerikane dhe aleatëve politikë të demokratëve.
Votuesit janë “të mërzitur dhe të pasigurt”, tha Presidenti Biden dje kur u pyet për rezultatin e zgjedhjeve në Virxhinia.
Pse janë të shqetësuar demokratët e moderuar?
Udhëheqësit demokratë në Kongres kërkojnë të miratojnë faturën e shpenzimeve sociale prej 1.75 trilion dollarësh, si dhe projekt-ligjin prej 1 trilion dollarësh për përmirësimin e infrastrukturës këtë javë. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi tha “jo” kur u pyet nga një gazetar nëse rezultati i zgjedhjeve në Virxhinia do të zvogëlonte intensitetin e përpjekjeve të saj për të miratuar projektligjin, të promovuar nga Presidenti Biden, raporton abcnews.al
Demokratët e moderuar janë të shqetësuar nëse projektligjet përfshijnë shpenzimet sociale, taksat dhe programet klimatike për të ofruar mbulim të përshtatshëm politik për zgjedhjet afatmesme të vitit të ardhshëm.
Kundërshtimet e shprehura publikisht
Deputeti demokrat Jared Golden nga Maine është një nga ligjvënësit e paktë që nuk do të votojë për projektligjin e shpenzimeve sociale pa një vlerësim zyrtar nga Zyra e pavarur e Buxhetit të Kongresit (CBO) se projektligji në fjalë është i zbatueshëm nga pikëpamja sociale.
Sipas APE-MPE, ai shprehu shqetësimin e tij të mërkurën se dispozitave tatimore të projektligjit të përmendur, duke përfshirë përjashtimet nga taksat për prindërit, u mungon targetimi efektiv për njerëzit me të ardhura të ulëta.
Nga ana e tij, senatori republikan Joe Manchin, i cili është një pengesë kryesore për votimin mbi agjendën e brendshme të Presidentit Biden, tha dje se demokratët “duhet të kenë kohë të mjaftueshme” për të analizuar faturën e shpenzimeve sociale, kostot e të cilit tashmë janë ulur nga shifra fillestare financiare prej 3.5 trilion dollarësh.
Një demokrat i New Jersey, i cili kandidon në zgjedhjet e Kongresit, tha se demokratët “duhet të votojnë për projektligjin për përmirësimin e infrastrukturës sa më shpejt të jetë e mundur dhe të fillojnë nga e para me projektligjin e Mirëqenies Sociale” .
Phil Murphy, guvernatori republikan fitoi rizgjedhjen të martën me një diferencë të vogël të papritur në një shtet ku votuesit demokratë i tejkalojnë votuesit republikanë me më shumë se një milion votues.
/abcnews.al