Reshjet ndotin plazhin e Tales, aksion për pastrimin

schedule14:50 - 7 Qershor, 2019

schedule 14:50 - 7 Qershor, 2019

Në plazhin e Tales në Lezhë të gjithë punonjësit vendorë janë hedhur në aksion për pastrimin e bregdetit, i cili është mbushur me mbeturina pas reshjeve të fundit.

Duhet të ishin gati për të pritur plazhistët, por bregu është i mbushur me mbeturina. Reshjet e shiut e ndotën sërish plazhin e Tales në Lezhë. Për këtë shkak  punonjës shërbimesh, administrata dhe mjete u angazhuan për pastrimin e tij.

Nëse moti do të jetë pa reshje dhe i ngrohtë, vendorët besojnë se fundjava do të jetë e mbushur me pushues. Administratori Albert Rrusti është i bindur se ata  do të gjejnë një plazh të pastër si dhe përmirësim të shërbimeve.

“Ne kemi marrë masat sepse nuk është hera e parë që ndërhyjmë dhe po i japim dorën e fundit plazhit që këtë fundjavë të jetë i pastër për të gjithë pushuesit”, tha ai.

Më herët ka patur ndërhyrje në infrastrukturën rrugore. Janë shtuar kontejnerët e mbeturinave si dhe është përmirësuar shërbimit shëndetësor. Këtë sezon në Talë janë rritur dhe kapacitetet hoteliere ndaj autoriteteve lokale dhe bizneset kanë pritshmëri për rritje të numrit të pushuesve./ABC News Albania 24/7