Reshjet e shiut mbushin Fierzën, dhjetëfishohen prurjet në orët e fundit

schedule10:31 - 2 Prill, 2022

schedule 10:31 - 2 Prill, 2022

U deshën tre dite reshje intensive që rrënojat e Kukësit të vjetër të mbuloheshin sërish nga uji i Liqenit te Fierzës. Prurjet e lumenjeve u dhjetëfishuan gjatë 24 orëve të fundit e që shkuan në rreth 900 metër kub ujë në sekondë ndërsa niveli i ujit në liqenin e Fierzës, ka kaluar 262 metra mbi nivelin e detit, nga 259 që ishte tre ditë më parë. Reshjet e shiut janë të pranishme në të gjithë territorin e verilindjes, aty ku lumenjtë kryesore që furnizojnë liqenin e Fierzës Drini i bardhë e Drini i Zi, po shtojnë prurjet e tyre.

Kjo situatë duket si ogur i mirë për përmirësimin e situatës hidrike në vend që mezi pritej të ndodhte. Në Fierzë nuk punohet prej 10 ditësh, e kjo për të akumuluar rezervën ujore në Liqenin e Fierzës, e cila me këto ritme do të sigurohet brenda muajit prill.

Liqeni i Fierzës, është ujëmbledhësi më i madh në vend, me një sipërfaqe më shumë se 79 kilometra katrorë e kapacitet bartës rreth 3 miliardë metërkub ujë. Kuota maksimale shkon në 296 metra mbi nivelin e detit. Për ndërtimin e tij u desh të punohej një dekadë në vitet 60 70 e për të cilin u përmbytën qyteti i Kukësit të Vjetër me 33 fshatra në Kukës, has Tropojë e Pukë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!