Reshjet e shiut dhe problemi me mbushjen e lumenjve, ministrja Krifca tregon situatën në qarqe

schedule13:04 - 30 Nëntor, 2021

schedule 13:04 - 30 Nëntor, 2021

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, ka reaguar pas situatës së krijuar nga prurja e madhe e ujit në lumenj në disa zona të vendit.

Krifca përmes një postimi në rrjetin social Facebook shkruan se paraditen e sotme është vënë re një përmirësim i situatës së lumenjve kryesorë në vend.

Sipas ministres situata është e stabilizuar në 27 hidrovoret në të gjithë vendin janë në gatishmëri e funksionojnë me kapacitet normal.

Krifca njofton se nuk kemi nivele të larta të ujit në rrjetin kryesor të kanaleve kullues. Gjithashtu, kanalet e ujrave të larta po funksionojnë normalisht.

Lidhur me nivelin e lumenjve, megjithëse gjatë ditës së djeshme dhe gjatë natës pati rritje të tyre, kryesisht të lumit Shkumbin dhe lumit Vjosa, Krifca njofton se aktualisht janë regjistruar rrjedhje të ujrave brenda shtrateve.

Më poshtë, situata sipas qarqeve:

  • Në Fier, gjendja është përmirësuar në Lumin Vjosa, ka rënie të nivelit të ujit në Urën e Mifolit prej 50 cm. Aktualisht, niveli i ujit në Mifol krahu i djathtë është 5.2 m.
  • Lumi Seman në Mbrostar, ka pësuar rritje të nivelit referuar ditës së djeshme prej 1 metër. Aktualisht niveli në urën e Mbrostarit është në kuotën 2.6 m.
  • Në Vlorë, përgjithësisht situata momentale është drejt përmirësimit. Lumi Vjosa ndodhet brenda shtratit. Lumi Shushicës ndodhet gjithashtu brenda shtratit.
  • Për sa i përket lumit Bistricë dhe Kalasë, aktualisht janë brenda shtratit. Deri në këto momente nuk ka mbingarkesë të këtyre shtretërve.
  • Situata momentale në Gjirokastër është përmirësuar, lumenjtë janë brenda shtratit.
  • Gjendja në të tre hidrovorët e DUK Durrës është optimale dhe pompat punojnë me kapacitet të plotë. Gjatë kontrollit të ushtruar është vënë re një rritje e nivelit të ujit në lumenjtë Erzen dhe Ishëm, por deri më tani nuk ka dalje të tyre nga shtrati.
  • Në qarkun Berat kanë vazhduar reshjet gjatë natës me intesitet mesatar, ndërkohë që paraditen e sotme shiu është me karakter lokal. Në zonën e Kutallisë, ku janë dhe shumica e serave, nuk ka pasur probleme dhe kanalet kulluese kanë kryer funksionin e tyre. Ndërsa lumi Osum ka një ulje të nivelit në krahasim me dje në darkë.
  • Në qarkun Elbasan kanë vazhduar reshjet gjatë natës. Në fushën Sulovë / Cërrik përrenjtë e pastruar kanë kryer funksionin dhe për herë të parë gjatë këtyre viteve nuk ka dalje të përrenjve nga shtrati edhe pse zona u përball me reshje të dendura.
  • Në qarqet Lezhë dhe Shkodër gjatë 24 orëve të fundit kanë rënë rreth 40 mm reshje shiu. Nivelet e ujit në lumenjtë Buna dhe Drin janë në kuota normale.
  • Në lumenjtë Mat e Kir, ka pasur prurje mbi prurjet normale, por pa krijuar probleme.

Strukturat janë në gatishmëri të plotë, mbyll postimin e saj Krifca./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!