Reshjet e dendura dhe përmbytjet, Verdho në “Radar”: Bashkia Shkodër është njoftuar, prurjet në kaskadën e Drinit ishin shumë të mëdha dhe u menaxhuan mirë

schedule20:13 - 21 Nëntor, 2022

schedule 20:13 - 21 Nëntor, 2022

Drejtori i Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Ergys Verdho ka thënë në “Radar Informativ” se Bashkia e Shkodrës është lajmëruar për shkarkimet nga hidrocentralet, që çuan në përmbytje masive me viktima.

“Nuk është e vërtetë që bashkia nuk është lajmëruar. Në çdo rajon ka një komunitete emergjencash që ka edhe përfaqëssues të KESH që jep informacionine duhur në kohë reale. Sot jemi pas lufte dhe dje ka qenë një event sinoptik shumë i fortë, 400 milimetër shi në Theth do të thotë 3500 metër kub në orë gjatë ditës së djeshme. Këto prurje kaq të mëdha, 4 mijë m3 në sekondë të shkonin përnjëherë në Fushë Shkodër. KESH ka shkarkuar 30% të sasisë  të kuotës origjinale. Ka një komision kuotash, që vendos ça shkarkimesh do kemi”, tha Verdho.

Ai foli edhe për blerjen e energjisë nga KESH deri në datën 20 nëntor, edhe pse dihej që fundjava që sapo lamë pas do të sillte reshje. Sipas Verdhos, po të prodhohej energji dhe të mos blihej, atëherë do të rrezikohej rezerva energjetike.

“Nga parashikimet e  motit në ditën e enjte, në ditën e premte që ne dolëm për blerje, parashikohej një fornt atmosferik në fundjavë, por niveli i sigurisë është në masën 40%. Ishim përballë një kuote që ishte 265 dhe po të prodhonim deri të premten e kaluar ne do rrezikonim rezervën energjetike. Morëm të premten sasinë e energjisë që do të konsumohej javën e ardhshme”, tha Verdho, duke shtuar se “nuk mund të bëjmë parashikime të motit për 10 me ekzaktësi.”

Drejtori i KESH sulmoi edhe opozitën, që ka deklaruar vazhdimisht se institucioni i drejtuar nga ai nuk blen energji paraprakisht. Verdho tha se KESH bën blerje 1-vjeçare, por duke mos qenë të aftë të mënaxhojnë situatën, ndodh që ka përplasje mes asaj që blihet dhe sasisë që mund të shitet.

“Opozita dhe shumë nga foltoret thonë që KESH nuk blen në avanc, KESH bën blerje 1-vjeçare. Sa evente sinoptike mund të ndodhin si gjatë kësaj fundjave? Do kemi përplasje mes asaj që blejmë dhe asaj që mund të shesim”, tha ai.

Në lidhje me shkarkimet që përmbytën Shkodrën duke lënë edhe dy viktima, Verdho tha se hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës nuk kanë kapacitete rezervuese.

“Rezerva jonë energjetike është në Fierzë. Ajo që ndodhi ndodhi në Koman dhëe Vaun e Dejës. Dy liqenet nuk kanë kapacitete rezervuese. Që të martën e kaluar filluam konsumin në këto hidrocentrale për të absorbuar sasinë e ujit që vjen në kuota”, tha Verdho.

Ai iu përgjigj edhe akuzave se institucioni që drejton ka vjedhur me blerjen e energjisë elektrike, pasi janë importuar 10 milionë euro, ndërkohë që janë shitur pak më shumë se 600 mijë euro, sipas akuzave të opozitës.

Verdho tha se janë shitur 3 milionë e 900 mijë euro energji elektrike, një shifër që sërish tregon se ka pasur humbje të konsiderueshme në krahasim me sasinë që është importuar.

“Kemi shitur 3 milionë e 900 mijë euro. Sot kemi shitur vetëm në orët e natës, një energji që shitet shumë lirë dhe bursa maksimale e natës është 120 euro dhe ne kemi përfituar çmime 110 euro. Ishte shitje e detyruar”, tha Verdho. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!