Veriu dhe juglindja e vendit janë përfshirë nga reshje intensive të borës duke krijuar vështirësi në qarkullimin automjeteve.. Reshjet kanë nisur në orët e para të mëngjesit pas rënies së ndjeshme të temperaturave deri në minus 3 gradë Celsius. Trashësia e dëborës varion nga 5 në 10 centimetra, por e shoqëruar me erë ka krijuar shtresa akulli në rrugë.
Sipasojë e reshjeve të borës është bllokuar qarkullimi në Qafën e Llogarasë.Për shkak të reshjeve të borës policia ka vendosur efektive per te mos lejuar lëvizjen në këtë segment. Lëvizja në afërsi të Llogarasë kryhet vetëm nga tuneli për automjetet në drejtim të Himarës dhe anasjelltas.
Rruga e Kombit po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm dhe po trajtohet me kripë në të gjithë gjatësinë e saj. Aktualisht nuk ka probleme përsa i përket qarkullimit të mjeteve në Rrugën e Kombit nga Morini në Rrëshen.
Kontraktorët me mjete dhe punëtorë janë në terren pa ndërprerje 24/7 për të bërë pastrimin e akseve rrugore.
Autoriteti Rrugor Shqiptar i kërkon drejtuesve të mjeteve që të shmangin lëvizjet jo të domosdoshme me automjetet personale
për të garantuar sigurinë e të gjithëve dhe për të lehtësuar punën e ekipeve të mirëmbajtjes së rrugëve.
Përdorimi i gomave dimërore është i detyrueshëm për automjetet që qarkullojnë në zonat malore apo ku është njoftuar për prezencë dëbore dhe ngricash.
Moti i keq ka shkaktuar probleme edhe rrjetin energjitik, aktualisht jashtë pune janë 27 fidera, kryesisht në rajonin Durrës, ndikuar edhe nga prezenca e ujit në kabina. Po ashtu rrjeti 6kV që furnizon me energji elektrike Hidrovorin e Synej (Kavajë) është me defekt dhe po punohet për riparimin e linjës.

/ abcnews.al /


