Reshjet e dëborës, 7 fshatra të bllokuara në Skrapar

schedule16:13 - 6 Mars, 2022

schedule 16:13 - 6 Mars, 2022

Ulja e ndjeshme e temperaturave ka sjellë edhe reshjet e pandërprera të dëborës në të gjithë rrethin e Skraparit. Dëbora ka mbuluar gjithçka në çdo fshat, duke arritur edhe në pikën më të lartë, në Teqenë e Abaz Aliut, ndërkohë që trashësia e saj ka arritur deri në 20-25 cm.

Reshjet e pandërprera të dëborës që filluan pasditen e djeshme dhe që vijojnë të bien ende kanë bllokuar disa fshatra malore në rrethin e Skraparit.

Edhe pse raportohet se të gjitha akset nacionale të qarkut të Beratit janë të hapura dhe me qarkullim të pandërprerë,7 fshatra rreth Tomorrit janë të izoluar nga dëbora, ndërkohë që 10 fshatra të tjerë janë pa energji eklektike prej mëngjesit të sotëm, për shkak të erës së fortë.

Fshatrat: Gjerbës, Qafë Dëvri, Leshnje, Gërdec, Potom, Backë dhe Zaloshnje janë të izoluar nga dëbora, ndërkohë që fshatrat: Ujanik,Gradec,Radësh,Tomorr,Potom,Zhepë,Dërvi,Backë,Leshnje e Tomorr në bashkinë Skrapar janë pa energji elektrike, për shkak të dëmtimit të linjave nga era.

Burimet zyrtare nga OSHEE-ja Berat konfirmojnë se të gjitha ekipet janë në terren dhe po punojnë për rikthimin sa më të shpejtë të energjisë elektrike në të gjitha zonat ku ka probleme me ndërprerjen e energjisë.

Edhe në disa akse raportohet prezencë ngricash në rrugë, ku më problematik është aski Bogovë-Skrapar, ku duhet të tregohet kujdes në qarkullim.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!