Moti i keq dhe me reshje të dendura shiu dhe bore kanë përfshirë orët e fundit vendin tonë. Burime për abcnews.al bëjnë me dije se zona e Dibrës është dhe një ndër zonat më problematike përsa i përket reshjeve të borës që duket se kanë nisur me intensitet të lartë.
Deri më tani trashësia e borës në Kalanë e Dodës, Selishtë dhe Lurë kalon mbi 40 cm. Kalimi bëhet me vështirësi vetëm me zinxhirë.
Ndërkohë një tjetër problematikë në këtë zonë është dhe prezenca e erës së furtë, ku në zonat nga Cereni deri në Vasie të Kalasë së Dodës mbushet rruga me borë duke vështirësuar punën e borë pastrueseve.
Nëse situata do të vijojë kështu në orët në vijim mund të ketë bllokime të rrugës.
Ndërkaq policia apelon përdorimin e gomave dimërore dhe zinxhirëve./abcnews.al