Italia vijon të përballet me motin e keq dhe temperaturat e ulëta që kanë përfshirë vendin nag veriu në jug. Reshje të dendura dhe erërat e forta kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, por deri tani nuk është regjistruar asnjë viktimë.
Dhjetë ditët e fundit të Korrikut kanë sjellë reshje të dendura dhe temperatura të ulëta nga veriu e deri në jug të Italisë. Një nga zonat më të prekura nga përmbytjet është Puglia, ndërsa si pasojë e erërave të forta shumë pemë janë rrëzuar si dhe janë krijuar vatra zjarri në Sicili.
Moti i keq nuk ka kursyer as qendrën e Italisë ku shumë fluturime janë devijuar në Abruzo, ndërsa në Romë dhe Napoli janë regjistruar përmbytje. Në veri të vendit në Liguria më saktë janë regjistruar më shumë se 2 mijë rrufe, të cilat kanë provokuar dëme materiale dhe zjarr.
Në qendër dhe në jug të Italisë, stuhitë kanë ndikuar në uljen e ndjeshme të temperaturave. Kryeqyteti italian ka përjetuar një stuhi të fortë në orët e para të mëngjesit së të martës, e cila ka provokuar përmbytje të rrugëve, trafik të rënduar si dhe rënie pemësh. Përmbytje janë regjistruar dhe në Napoli.
Në Sicili janë evakuar banesa dhe qendra tregtare ndërsa janë me dhjetëra rastet kur është kërkuar ndërhyrja e zjarrfikësve për shkak të rënies së shtyllave të të tensionit të lartë./abcnews.al