Reshje shiu, shtrëngata dhe erë, parashikimi i motit për sot

schedule07:21 - 22 Nëntor, 2024

schedule 07:21 - 22 Nëntor, 2024

Nën mbizotërimin e vranësirave dhe shirave të dendur do të karakterizohet moti në territorin shqiptar, ku herë pas here priten shtrëngate shiu si edhe mini stuhi ere. Më të theksuara në zonat veriperëndimore – jugperëndimore, duke sjellë probleme me përmbytjet, reshje dëbore do të ketë në zonat malore në lartësinë mbi 1000 metra. Këto kushte atmosferike do të na shoqërojnë deri vonë pasmesnate kur pritet dobësim i ndjeshëm i intensitetit të reshjeve në të gjithë territorin e vendit;

Temperaturat e ajrit do të ulen në mëngjes, por rriten lehtë në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 1°C vlera minimale në Ersekë deri në 19°C vlera maksimale e cila pritet në qarkun e Elbasanit. Era do të vijojë e fortë si në tokë dhe në det duke arritur shpejtësinë mbi 75 km/h nga drejtimi jugor, për pasojë në brigjet detare do të krijohen dallgë deri në 6 ballë.

Kosova

Do të mbetet republika e Kosovës nën mbizotërimin e motit të paqëndrueshëm duke bërë që vranësirat dhe shirat të jenë dominante në pjesën më të madhe të Kosovës, ku më të theksuara reshjet do të paraqiten në zonat veriore dhe veriperëndimore në zonat malore do të ketë edhe reshje dëbore. Parashikohet që orët e pasdites të sjellin intensifikim të reshjeve në të gjithë territorin e Kosovës hera pas here priten stuhi të forta ere. Mbrëmja dhe nata dobësojnë dukshëm intensitetin e reshjeve në të gjithë Kosovën. Temperaturat e ajrit do të ulen në orët e mëngjesit por rriten lehtë në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga -2°C vlera më e ulët e shënuar në Podujevë deri në 10°C vlera më e lartë e cila pritet në Gjakovë. Ndërkohë era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi maksimale deri në 70 km/h përgjatë gjithë ditës nga drejtimi kryesisht jugor.

Maqedonia e Veriut

Republika e Maqedonisë së Veriut do të vijojë nën ndikimin e vranësirave dhe reshjeve të shiut dhe dëborës, ku më të dendura do të jenë në zonat veriperëndimore dhe Jugperëndimore. Për sa i përket pjesës së dytë të ditës, parashikohet shtim i intensitetit të shirave, ku herë pas here do të ketë rrebeshe shoqëruar me stuhi të forta ere dhe shkarkesa elektrike. Kjo situatë e motit do të vijojë deri mëngjesin e së shtunës. Ndërkohë temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie në orët e mëngjesit, por rriten lehtë në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga -2°C vlera minimale deri në 13°C vlera maksimale në rang vendi. Era do të fryjë e fortë përgjatë gjithë ditës duke arritur shpejtësinë maksimale 65 km/h nga drejtimi permanent jugor.

Evropa

Pjesa më e madhe e kontinentit do të jetë nën ndikimin e vranësirave dhe shirave me intensitet të lartë, ku problematike situata do të vijojë në;gadishullin e Ballkanit, gadishullin Apenin, si edhe brigjet e Detit të Zi. Po ashtu vendet e Europës Lindore do të përjetojnë reshje të dendura dëbore dhe ngrica të theksuara ndërsa moti i kthjellët dhe vranësirat e lehta e kalimtare do të dominojnë përkatësisht në gadishullin Iberik, ishujt Britanikë si edhe pjesën më të madhe të Europës qendrore./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!