Reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin kanë shkaktuar një serë vështirësish në qarkullim. Autoriteti Rrugor shqiptar thekson se problematika më të shumta ka pasur si pasojë e rënies së gurëve dhe inerteve në trup të rrugës.
Në aksin nacional Pogradec–Qafë Thanë, pranë zonës së Gurit të Kuq situate paraqitet problematike pasi si pasojë e reshjeve të dendura, uji dhe aluvionet kanë dalë mbi rrugë, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve, i cili aktualisht kryhet vetëm në një korsi.
Akset që kanë pasur më shumë probleme rezultojnë Qafë Dushk-Sevaster në Vlorë km 10-11 ku qarkullimi po realizohet me një korsi për shkak të ngushtimit të rrugës.
Në segmentin Valare-Erind-Çajup km 7 raportohet për rrëshqitje aktive, e cila ka shkaktuar bllokim të aksit në këtë vend dhe po punohet për hapjen.
Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se edhe në juglindje konkretisht në Korçë-Dardhë km 9 ka pasur shkarje anësore të trupit të rrugës, ndërsa situata po monitorohet edhe në Librazhd-Qafë Thanë ka pasur rrëshqitje dherash ndërsa pastrimi është në proces.
Reshjet e shiut kanë krijuar vështirësi edhe në zonën e jugut konkretisht në segmentin Përmet-Tre Urat (Ura e Petranit rezulton shkarje masive dhe zgjerim i çarjes me rreth 10 cm në Gjirokastër ndërkohë në vendin e quajtur Shkalla e Zeze rrugë njëkalimshe, kërkohet vëmendje e shtuar.
Reshje dëbore ka pasur në zonën veriore, në lartësi mbi 1100 m, konkretisht në akset: Bogë-Theth, Hani i Hotit-Vermosh, Surel-Qafë Priskë-Qafë Mollë, Elbasan-Gjinar, Ibë-Krrabë-Elbasan, Qafë Mali-Fierzë. Në Llogara raportohet mjegull e dendur.
Kontraktorët me mjete dhe punëtorë janë në terren pa ndërprerje për të bërë pastrimin e akseve rrugore.
Drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit, të reduktojnë shpejtësinë për shkak të lagështisë në rrugë, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhir kur udhëtojnë për në zonat malore me prezencë dëbore.


