Emri i ri “Republika e Maqedonisë së Veriut”, i dakordësuar mes kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Tsipras ka krijuar polemika të shumta në Athinë dhe Shkup. Partitë opozitare të dy vendeve kundërshtojnë me forcë zgjidhjen e kontestit të emrit. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, në një konferencë për shtyp u shpreh se kjo është një ditë e vështirë për vendin. Ai e vlerëson ngjarjen si një marrëveshje kapitullimi për vendin.
Hristian Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE: “Zoran Zaev po përpiqet të demonstrojë eufori. Po shihet qartë se kjo është një humbje. Qytetarët po ndiejnë dhimbje dhe hidhërim. Negociatat u mbajtën të fshehta. Opozita dhe VMRO-DPMNE-ja nuk ishin përfshirë në bisedime, tani është e qartë pse”.
Sipas kreut opozitar, në këtë marrëveshje janë pranuar të gjitha qëndrimet për të cilat ka këmbëngulur pala greke. Ndërsa nga ana tjetër, lideri i Demokracisë së Re, Mitsotakis, tha se kryeministri grek nuk ka asnjë legjitimitet që të nënshkruajë marrëveshjen e emrit, pasi ajo nuk është aprovuar nga partnerët e koalicionit të tij, Grekët e Pavarur.
Deklarata u bë gjatë një takimi me presidentin Prokopis Pavlopoulos. Partia opozitare greke ka kritikuar akordin duke thënë se njeh gjuhën dhe etninë Maqedonase. Këtyre pretendimeve iu është përgjigjur ministri i Jashtëm, Kotzias, që akuzoi Demokracinë e Re se po mundohet të fshehë përçarjet brenda partisë me këto akuza.
Përtej kundërshtimeve marrëveshja historike është përshëndetur nga faktori ndërkombëtar. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini dhe komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn kanë përgëzuar dy vendet për akordin e arritur. Ndërsa, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se ky zhvillim i hap rrugën anëtarësimit të Shkupit në Aleancë. Gjithashtu edhe ndërmjetësuesi i OKB-së, Matthew Nimetz ka përshëndetur marrëveshjen./abcnews.al