Nga Linda Karadaku
Procesi i gërmimeve vlerësuese dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë, në Kizhevak të Serbisë, është mbyllur.
Procesi i gërmimit dhe zhvarrimit të mbetjeve mortore në këtë lokacion është realizuar në dy faza, nga 30.11.2020 deri në 09.12.2020 dhe nga 05.05.2021 deri në 26.05.2021. Janë zhvarrosur mbetjet mortore të nëntë personave, nga të cilët dy janë identifikuar.
Kizhevaku është vetëm nga varrezat masive në Serbi ku vazhdojnë të gjenden mbetjet mortore të shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe. Gjatë luftës në Kosovë, trupat e shqiptarëve të vrarë e të lënë nëpër male, janë gjetur edhe nga refugjatët që iknin, të dëbuar nga forcat serbe. Ata i kanë varrosur dhe kanë lënë shenja që i vrari të mund të identifikohej më vonë.
“Instituti i Mjekësisë Ligjore: “Ky ishte vrarë nga forcat serbe dhe e kishin lënë në mal. Refugjatët duke ikur për në Maqedoni e kanë parë dhe e kanë varrosur. Ia kanë hequr orën dhe ia kanë vënë në një copë druri, në mënyrë që kushdo që ta njihte orën, ta dinte se ky person është I varrosur në këtë vend. Është një sinjal, një mesazh”, u shpreh Arsim Gërxhaliu.
Gërxhaliu thotë se refugjatët edhe pse në ikje, të dëbuar nga forcat serbe, janë kujdesur të lënë një shenjë që i vrari të gjendej nga të afërmit e tij. Këto janë shenja dhe artefakte që tregojnë ashtu si shumë dëshmi të tjera, krimet e tmerrshme që kryen forcat serbe në Kosovë dhe shërbejnë si pjesë e kujtesës kolektive. /abcnews.al/