Reshjet e shiut kanë shkaktuar problematika në këtë aks për shkak të rrëshqitjeve të gurëve. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku ditën e sotme ka ndjekur punimet në terren në segmentin rrugor Lezhë-Shëngjin.
Balluku shprehet se pavarësisht kushteve të këqija të motit puna nga autoritetet nuk ka ndalur, teksa thekson se kjo situatë ishte një test dhe se sot mirë-menaxhohen nga autoritetet.
Po ashtu ajo komenton edhe problematikat teksa shprehet se shumë shpejt do të nisë një investim i ri duke rritur sigurinë rrugore.
Investimi sipas saj parashikon eliminimin e problematikës së rrëshqitjes së gurëve si dhe rehabilitimin e sistemit të ndriçimit.
“Është bërë një punë që duhet përgëzuar pasi kemi pasur shumë problematika në të gjitha akset, por gjithçka është menaxhuar menjëherë si në dy raste ku kemi pasur bllokime në rrjetin e ujit. Por nga ç’duket moti vazhdon me të njëjtin intensitet të reshje, por ne jemi të përgatitur për të vazhduar punën pa e ndalur. Jemi duke parë sistemimin e portit për ta kthyer në një port turistik pasi edhe zona është turistike. Në plane nuk kemi vetëm mirëmbajtjen, por edhe plane të tjera zhvillimi”, tha Balluku.
/abcnews.al/

