Nga Matt Purple, The American Conservative
Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, fitoi këtë javë një mandat të katërt qeverisës. Partia Popullore e qendrës së djathtë, siguroi më pak se çerekun e vendeve në parlament, por në sistemin politik holandez tejet të fragmentuar, kjo është e mjaftueshme për një pasur një shumicë qeverisëse.
Ajo është gjithashtu e mjaftueshme për të formuar një qeveri, me kushtin që Rutte të jetë në gjendje të krijojë një koalicion tjetër, gjë që me siguri do ta bëjë. Fitorja e tij erdhi në kurrizin e një kandidati shumë më Trumpist, Geert Wilders, kreu i Partisë së Lirisë, e cila është rikthyer në parlament si partia e tretë më e madhe në vend.
Me kauzën qendrore shqetësimet mbi migracionin, Wilders është quajtur shpesh Trumpi Holandez apo edhe “Trumpi përpara Trumpit”. Dhe rivaliteti i tij i gjatë me Mark Rutte lë
të kuptohet një e vërtetë më e gjerë:Në Evropë, nacionalizmi i krahut të djathtë është në rënie. Në krye janë teknokratët, të paktën për momentin.
Kjo prirje është më e fortë në Itali, ku një qeveri që përfshinte Lëvizjen populiste Pesë Yjet u rrëzua në fillim të këtij viti. Nga hiri i saj doli Mario Draghi, një kryeministër i ri i përkohshëm. Draghi, ish-presidenti Bankës Qendrore Evropiane dhe një mbështetës i flaktë i Bashkimit Evropian,është lloji i figurës që dikur kundërshtohej fort nga Lëvizja Pesë Yjet.
Ndërkohë në Francë,në pushtet është Emmanuel Macron, një liberal krenar që dikur e krahasonte veten me perëndinë Jupiter. Në Austri, kryeministri pragmatik i qendrës së djathtë, Sebastian Kurz, zgjodhi vitin e kaluar të formonte një koalicion me të Gjelbrit, dhe jo me aleaten e vjetër Partinë e Lirisë së ekstremit të djathtë.
Në Gjermani, centristja Angela Merkel do t’ia dorëzojë së shpejti pushtetin Armin Laschet, një figurë e ngjashme që premton vazhdimin e politikave të saj. Dhe ndërsa largimi i Merkelit nga kancelaria mund të dëmtojë partinë e saj të qendrës së djathtë, nuk ka gjasa që përfitues të jenë populistët gjermanë.
Evropa e sotme është shumë larg Evropës së 5 viteve më parë, kur Britania sapo kishte votuar për t’u larguar nga BE, kur Marine Le Pen po ngrihej në Francë, dhe kur Merkel ishte në syrin e ciklonit për shkak të krizës e emigrantëve.
Gjithsesi për të qenë të ndershëm, nacionalizmi në Evropë nuk ka vdekur. Populistët mbeten në krye të Hungarisë dhe Polonisë. Këta janë ende një problem i tillë, saqë Bashkimi Evropian po mendon për të mijtën herë se si të “merret” me Hungarinë dhe Poloninë, a thua se ato kombe duhet të dënohen për zgjedhjen demokratike të udhëheqësve të tyre.
Edhe nëse populizmi nuk po ushtron aktualisht shumë pushtet, spektri i tij vazhdon që të përndjekë elitat evropiane. Ndërkohë ekziston edhe një fakt kokëfortë:disa kauza nacionaliste mbeten shumë popullore, gjë që i ka detyruar teknokratët t’i kopjojnë ato për të mbijetuar.
Kështu bëri Mark Rutte gjatë zgjedhjeve parlamentare në Holandë në vitin 2017 me ligjin e imigracionit, duke iu thënë emigrantëve “të silleshin normalisht ose të dëboheshin nga vendi”. Gjithashtu, edhe Emmanuel Macron ështëkohët e fundit pozicionuar si një “luftëtar i kulturës”, duke e portretizuar Francën si të bllokuar në një luftë midis laicitetit (shekullarizmit) dhe ekstremizmit islamik.
Ai madje gjeti kohë të denonconte “disa teori të shkencave shoqërore, të importuara tërësisht nga Shtetet e Bashkuara”, duke hedhur poshtë atë që ne do ta quanim si “anulimin e kulturës”. Pra siç shihet,forcat që ngjallën nacionalistët janë ende shumë reale, edhe nëse vetë nacionalistët po pësojnë për momentin një rënie të popullaritetit të tyre.
Çfarë duhet kuptuar nga e gjithë kjo? Së pari se nacionalizmi është një përçarës i natyrshëm i rendit aktual, dhe ndërsa votuesit e përqafojnë ndonjëherë përçarjen, ata mund të reagojnë po aq lehtë kundër tij dhe në favor të stabilitetit.
Kjo gjë shpjegon suksesin e Mark Rutte në Holandë, që nuk ka pretenduar kurrë të jetë diçka tjetër, përveçse një shërbëtori i shtetit me një profil të ulët. Kjo shpjegon gjithashtu edhe qëndrueshmërinë e popullaritetit të Merkelit, pavarësisht ekspertizës ë dobët gjatë krizës së refugjatëve dhe bllokimeve për shkak të Covid-19.
Dhe koronavirusi vetëm sa e ka shtuar dëshirën për një qëndrueshmëri. Draghi u ngjit në pushtet në Itali, pikërisht sepse edhe shumë populistë të krahut të djathtë e pranuan që ky vit nuk ishte koha e mosfunksionimit qeveritar.
Evropa është tronditur nga tensionet kulturore mbi Covid-19njësoj si SHBA-ja. Por siç është gjithashtu rasti në Amerikë, në themel të gjithçkaje qëndron nevoja për siguri, dhe ndjenja se qeveria po punon dhe e di se çfarë është duke bërë.
Leksioni përfundimtar është ky:Bashkimi Evropian nuk po shkon gjëkundi. Në vend se të shpërbëhej në efektin domino të ardhshëm, Brexit ka bërë që vendet e tjera anëtare të bëjnë një hap pas dhe të marrin frymë të lehtësuara.
Kjo nuk do të thotë aspak se euroskepticizmi është zbehur, apo se udhëheqësit evropianë nuk po e përdorin ndonjëherë BE-në si një letër varaku. Por edhe figurat nacionaliste si Wilders janë tërhequr nga thirrjet e tyre për t’u larguar plotësisht nga unioni.
Pra nuk ka gjasa që së shpejti të shohim një Frexit ose Italexit, Nexit apo Polexit?Jo akoma, pasi ndërsa pandemia po largohet gradualisht, dhe ndërsa rikthehet një politikë me rend më të rregullt, teksa shtrohet varfëria dhe zgjerohet pabarazia, oreksi për populizëm mund ta rigjenerojë shumë shpejt vetveten.
Prisni që zgjedhjet presidenciale franceze të vitit të ardhshëm, të jenë një provë e hershme për këtë, pasi renditja në sondazhe e Macron mbetet shqetësuese, dhe Marine Le Pen po përgatit një fushatë tjetër spektakolare. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

