Remi në Speciale flet për takimet me Shtabin e Përgjithshëm dhe marrëveshjen e Rambujesë

schedule16:59 - 14 Korrik, 2023

schedule 16:59 - 14 Korrik, 2023

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, po intervistohet nga mbrojtja e Hashim Thaçit, në ditën e katërt të dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale. Funksionimi i UÇK-së në atë zonë, takimet me Shtabin e Përgjithshëm si dhe marrëveshja e Rambujesë ishin çështjet për të cilat avokati Luka Misetiç shtroi pyetje për dëshmitarin në pjesën e parë të seancës.

Ish-komandant Remi konfirmoi se nuk kishte pranuar asnjë plan paqeje në të cilin nuk përfshihej e drejta e Kosovës për të kërkuar pavarësinë.

Ai tha se fillimisht nuk kanë pasur besim në delegacionin e Rambujesë por më vonë sipas tij të gjithë komandantët e zonave kishin dhënë pëlqimin për nënshkrimin e marrëveshjes.

Sipas tij, një gjë e tillë nuk mund të bëhej pa miratimin e komandantëve të zonave.

Mbrojtja ka shfaqur një intervistë që Rrustem Mustafa e kishte dhënë për BBC-në në të cilën tregonte për bisedat që kishte pasur me delegacionin. E njëjta u dorëzua si provë materiale.

“Zoti Hashim Thaçi tanimë ishte shef i delegacionet të Rambujesë dhe ka bërë gjithçka me na bind, nuk mund kthehem prap dhe të di krejt çka, por e di që ka arritur me na bind një nga një, e kemi ditur se jemi takuar me njerëzit me të fuqishëm të globit, kemi pasur siguri se ai po kontakton me njerëz të rëndësishëm dhe nuk kemi mundur me i ikë besimit që na ka jep në atë kohë. Unë kam qenë skeptik derisa ka filluar bombardimi i NATO-s mirëpo jam pajtuar”, tha ai.

Kjo është dita e katërt e ish-komandant Remit në gjykatoren e Hagës ndërsa pritet që dëshmia e tij të zgjasë edhe në ditët e javës së ardhshme.

Ai është betuar si dëshmitar të martën para turpit gjykues në Hagë në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit.

Të akuzuarit po marrin pjesë fizikisht në sallën e gjyqit për ta dëgjuar këtë dëshmi.

Gjykimi kundër tyre ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

/KosovaPress/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!