Ish-presidenti Ilir Meta do të vijojë të hetohet i izoluar në qeli. Të enjten Gjykata e lartë rrëzoi në dhomë këshillimi rekursin e kreut të partisë së lirisë, duke lënë në fuqi vendimet e gjykatave të posaçme që kanë caktuar ndaj tij masën e arrestit në burg. Meta po hetohet nga prokuroria e posaçme për veprat penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.
E pa ndryshuar mbeti edhe masa e detyrimit për tu paraqitur në prokurori edhe për Monika Kryemadhin që është nën hetim për të njëjtat vepra penale. Menjëherë pas vendimit të gjykatës së lartë, reagoi edhe ish-presidenti Meta përmes një audio mesazhi nga qelia e paraburgimit 313 ku mbahet prej tetorit të kaluar.
Ish-presidenti i republikës Ilir Meta akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie në lidhje me çështjet CEZ-DIA, lobimin e ish-LSI në SHBA dhe shpenzimet e familjes së tij.
Në rekursin që u rrëzua një nga argumentet që Meta kërkonte masë më të lehtë sigurie, ishte statusi i tij si drejtues i forcës së dytë më të madhe opozitare në vend, dhe si i tillë do të angazhohej në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, por që nuk është marrë parasysh nga gjykata e lartë.
/abcnews.al

