Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha deklaroi sot në një Konferencë për mediat se mësimi mund të bëhet i alternuar në kombinim mes platformës online dhe në auditore, duke marrë shkas nga situata me COVID-19.
Hoxha tha se tarifat e studimit janë të përcaktuara në Paktin për Universitetin, ndërsa shtoi se nuk do të ketë përgjysmim të tyre.
Mes të tjerash Rektori tha se janë marrë masat për fillimin e vitit akademik i cili nis më 2 nëntor, ku secili universitet ka platformat e veta.
“Sa i përket fillimit të vitit të ri akademik, një nga diskutimet në konferencë ishte se si do e përballonim situatën. Në dijeninë time të gjitha institucionet po angazhohen që të kenë platforma ndryshe nga ato që kemi punuar me herët. Ajo që po ndodh në të gjitha universitet e vendit, është krijimi i një platforme, që garanton që procesi të zhvillohet normalisht.
Ajo që po ndodh këto ditë është se po trajnohen në përdorimin e sistemit, pedagoget, administratorët dhe studentët që fillimi akademik të na gjejë të përgatitur. Do të kenë përgjysmim, mbështetje të studentëve në nevojë. Tarifën e regjistrimit për ciklin e dytë të studimit, do të jetë 20 mijë lekë. Ka një kërkesë të studentëve, dhe nuk do të ketë përgjysmim të tarifës, pasi do të thotë të bllokosh universitetin.
Cikli i dytë i studimeve kudo në botë paguhet më shumë.
Orari i mësimit, është autonomi i vet universiteteve por megjithatë është alternativa që javët e para do të kenë shërbim vetëm për vitet e para, ku mësimi do të zhvillohet në auditore. Ndërkohë kur ka numër të madh nxënësish leksionet do të zhvillohen online ndërsa seminaret dhe laboratorët do të zhvillohen në laborator. Ne nuk duam ta shkëpusim studentin nga auditori. Secili Universitet ka rregulloren e vetë”, tha Hoxha.
nd / abcnews.al