Rektorët përpara komisionit të medias

schedule15:30 - 6 Shkurt, 2019

schedule 15:30 - 6 Shkurt, 2019

Rektorët e universiteteve publike ishin sot të pranishëm në mbledhjen e Komisionit të Medias dhe Edukimit. Rektori  i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, u shpreh hapur ne mbështetje të kërkesave të studentëve. Kurse Rektori i Universitetit të Mjekësisë tha se ligji për arsimin e lartë nuk është i harmonizuar me ligje të tjera.

Janë në një mendje rektorët e universiteteve për protestat e studentëve. I hapi sytë se çfarë po ndodh me sistemin e arsimit të lartë.

“E cila shkundi qoftë administratën e universiteteve, qoftë universitetet, qoftë qeverinë. E ngriti, e bëri një problem kombëtar dhe shumë të ndjeshëm çështjen e arsimit të lartë publik”.

Shkundja ndodhi tha rektori i Universitetit të Mjekësisë, tani është koha që Ligji i Arsimit të Lartë të shihet me kujdes.

“Ligji i Arsimit të Lartë ka një ngërç dhe ka një ngërç shumë të madh që nuk është i harmonizuar me ligjet e tjera. Pra ligji i jep autonomi financiare universitetit, por herë pas here bie në kontadiktë me ligje të tjerë që atë autonomi që e jep ta bllokon diku tjetër. Qoftë te auditi, qoftë te buxheti, qoftë te ligji për thesarin e shtetit. Pra një nga gjërat thelbësore që mendoj se e bën të vështirë ndonjëherë të zbatueshëm Ligjin e Arsimit të Lartë është mos harmonizimi me kuadrin e përgjithshëm ligjor.”

“Po cënohet cikli i tretë i studimeve për shkak se ligji i ri ka parashikuar që doktoraturat realizohen në kuadrin e një projekti kërkimor, i cili duhet të financohet nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Teknologjisë së Informacionit. Aktualisht ne nuk kemi pasur asnjëlloj thirrje për të aplikuar në këto projekte. Kjo ka bërë të pamundur zhvillimin e ciklit të tretë të doktoraturës që jemi në emergjencë të plotë të këtij procesi”.

Rektori i universitetit të Tiranës, Mynyr Koni iu përgjigj edhe akuzave për tenderin për sigurinë me rojë private.

“Unë si rektor i Universitetit të Tiranës deklaroj që nga data 27 Maj 2016, kur jam dekretuar në detyrën e rektorit të këtij universiteti nuk kam bërë asnjëlloj procedure tenderimi. Ajo që ka ndodhur është që në Shkurt të vitit 2017 kam firmosur kontratën për të mos krijuar kolaps në universitet për sigurinë”.

Deputetët në komisionin e medias i drejtuan një listë të gjatë pyetjesh të shoqëruara edhe me debate. Gjithsesi shumicën e përgjigjeve rektorët e universiteteve premtuan tia kthejnë me shkrim./abcnews.al