Enrico Ruggeri ia ka dalë të realizojë ëndrrën e tij të madhe për të debutuar si futbollist. Këngëtari i njohur italian ka luajtur 9 minuta në takimin e Serie D mes Sona dhe Trivium. Sfida e luajtur ditën e djeshme përfundoi 0-1 për miqtë.
64-vjeçari debutoi me ekipin vendas, duke u kthyer në lojtarin më të vjetër në moshë që luan në divizionin e katërt të futbollit italian. Në skuadër me të edhe Maicon, ish-lojtari i famshëm i Interit dhe kombëtares braziliane.
Pas përfundimit të ndeshjes, Ruggeri, i cili është edhe shkrimtar, prezantues televiziv dhe drejtues radio në Itali, theksoi se do e mbajë mend gjatë pasditën e së dielës së 6 qershorit.
“Një pasdite që nuk do ta harroj kurrë. Dua të falënderoj presidentin tim Paolo Pradella, trajnerin Filippo Damini dhe të gjithë shokët e skuadrës“, deklaroi pas debutimit artisti italian, një tifoz i zjarrtë i skuadrës së Interit. /abcnews.al