Reja: Presim përgjigjen e Xhakës e Balliut, ky ekip do bëjë gjëra të mëdha

schedule11:20 - 29 Gusht, 2021

schedule 11:20 - 29 Gusht, 2021

Trajneri i kombëtares, Edy Reja publikoi dje listën e kombëtares për ndeshjet e eliminatoreve të Botërorit të vitit të ardhshëm ndaj Hungarisë, San Marinos dhe Polonisë. Trajneri foli për mungesat, të rinjtë, gjendjen fizike dhe dëmtimet.

LISTA – “Kemi një listë prej rreth 30 lojtarësh, por kemi probleme me disa të dëmtuar siç janë Dermaku, Veseli dhe Lenjani, të cilët duan disa javë të rikuperohen dhe të jenë në formë optimale. Pastaj, risia ishte Ivan Balliu, i cili luan në La Liga me Rayo Vallecano dhe po paraqitet shumë mirë në fillim sezoni.

Mendova ta rikthej në listë, por dje dolëm në telefon, nuk është mirë fizikisht, pasi ka probleme me pubalgjinë dhe ka inflamacion të aduktorëve e për këtë arsye nuk është ende në kushtet e duhura. Gjithsesi, e kemi lënë që të flasim sërish për të parë nëse kemi mundësi ta grumbullojmë”.

TË RINJTË – “Për herë të parë me ne vjen Muçi, i cili ishte pjesë e Kombëtares U-21 dhe e kishim nën vëzhgim. Është një djalosh i vitlindjes 2001 dhe gjithashtu kemi marrë Çepelen, të cilin e njohim tashmë. Po integrojmë këto të rinj së bashku me Brojan, Çokajn, Muçin e Çepelen, të cilët janë lojtarët e rinj që duhen vëzhguar për perspektivën.

Për të tjerat, kemi grupin e zakonshëm, që unë e kam formuar tashmë. Po bën paraqitje shumë të mira edhe Çekiçi, i cili është transferuar në klubin e Cikalleshit në Turqi dhe luajnë rregullisht për 90 minuta”.

GJENDJA FIZIKE – “Ka lojtarë që po luajnë rregullisht. Më vjen keq për Berishën dhe Strakoshën, që janë në stol me klubet, por janë lojtarë që meritojnë besim. Ata stërviten rregullisht, por nuk kanë mbase reflekset e ndeshjes, pasi nuk kanë pasur mundësi të luajnë.

Për pjesën tjetër, Ismajli, Gjimshiti luajnë rregullisht, Kumbulla ndihet mirë, edhe pse nuk ka luajtur me Romën së fundmi. Hysaj po luan, Doka po ashtu, Roshi ka ndeshje të shtunën, Trashi, Mitaj, Çekiçi, po luajnë. E njëjta dhe për Baren, Laçin, Cikalleshin.

Manaj është pjesë e grupit të Barcelonës, qëndron në pankinë, ka luajtur pjesën e parë të miqësoreve. Ka luajtur dhe është paraqitur mirë. Më ka informuar se është në gjendje shumë të mirë edhe se nuk luan. Do ta shikojmë dhe do ta verifikojmë në Varshavë, duke parë që do të kemi tre ditë përpara. Do të flas me të gjithë lojtarët për ti pyetur për gjendjen e tyre”.

TAULANT XHAKA – “Ai ishte pothuajse 6 muaj i dëmtuar ndërkohë që tani është rikuperuar. Kam parë që po luante, një pjesë, 75 minuta, por edhe ndeshje të plota. Ai thotë se ka akoma probleme në gju, nuk ndihet akoma në gjendje, duke parë që ka pak kohë që ka filluar të luajë.

Jemi dakortësuar që do të flasim nesër për të vendosur nëse do ta grumbullojmë apo jo. Ky është një vlerësim që sinqerisht do ta bëjmë nesër. Ai është thërritur këtë herë, ashtu si edhe herët e tjera, por nuk ka qenë në gjendje në ndeshjet e mëparshme për shkak të dëmtimit në gju. Unë uroj që të shërohet në mënyrë që të jetë i vlefshëm edhe për Shqipërinë”.

NEDIM BAJRAMI – “Për Bajramin, ashtu siҫ e dini ka qenë kjo seancë gjyqësore mbi mundësinë për të ardhur e luajtur me Shqipërinë. Unë kam folur me lojtarin dhe babain e tij. Ata duan të luajë për Shqipërinë absolutisht, vetëm se ka qenë ky ngërҫ.

Përgjigjen do ta kemi vetëm të hënën ose të martën maksimumi. Datat e FIFA-s janë këto kështu që do të presim. Unë uroj që të arrijë të vijë me ne, duke parë që është një lojtar që mund të na japë diҫka më shumë nga mesfusha e përpara sepse ka cilësi, driblon kundërshtar dhe synon portën. Ka pasime cilësorë, filtruese, do ishte një vlerë e shtuar për këtë skuadër”.

RRITJA E EKIPIT – “Të luash njëherë në tre ditë nuk është asnjëherë diҫka e lehtë. Por e njëjta gjë është edhe për kundërshtarët tanë, kështu që jemi në barazim le të themi. Unë jam i bindur që ky grup mund të bëj mirë. Jemi rritur, kemi pasur dy eksperienca të rëndësishme në miqësoret që kemi luajtur në Uells dhe Ҫeki.

Dy skuadra Kombëtare që kanë luajtur në Europian dhe kanë treguar cilësitë e tyre. Ne kemi qënë kompetitiv me ta. Bëmë paraqitje pozitive. Kam përshtypjen se jemi duke u rritur. Ky grup është i bindur për cilësitë që ka. Unë edhe në këto dy ndeshje të para pres akoma aspekte pozitive.

Siҫ e thashë edhe më lart, ne kemi treguar progres, dhe duke luajtur me këto dy skuadra të forta kemi nevojë të përmirësohemi akoma. Jemi përmirësuar nga mesfusha e përpara në lidhje me lëvizshmërinë dhe djemtë kanë brenda tyre një bindje se janë të fortë. E dinë shumë mirë vlerën e tyre.

Dimë gjithashtu shumë mirë edhe defektet tona. Do të punojmë të korrigjojmë diҫka në mënyrë që të jemi më kompetitiv. Unë jam i bindur që do të bëjmë paraqitje shumë të mira. E kemi të qartë se do të luajmë ndaj dy skuadrave të rëndësishme, Hungaria dhe mbi të gjitha Polonia, që kanë treguar se janë ‘përpara’ në aspektin e cilësisë, por as ne nuk jemi më pak.

Unë jam shumë i bindur që kjo është një skuadër që mund të na dhurojë kënaqësi të mëdha. E kemi të qartë se për të arritur këtë, të gjithë lojtarët duhet të jenë në gjendje maksimale. E theksova edhe më lart, do të shikoj dhe do të verifikoj këto tre ditë, edhe se janë pak, duhet të bëj zgjedhjet e duhura, për të hedhur në fushën e lojës lojtarët që janë në gjendjen më të mirë.

MUNGESAT – “Më mungojnë lojtarët e dëmtuar që janë lojtarë të rëndësishëm për ne, sepse do të kisha mundësinë për të bërë ndonjë zgjedhje, por jam i bindur që këto 27 lojtarë që kam grumbulluar janë zgjedhja më e mirë përballë asaj që ofron Shqipëria. Ndërkohë rritja ka qenë, dhe pres akoma një rritje të mëtejshme në këto kualifikuese për Kampionatin Botëror”, përfundoi Reja.

Ekipi do të nisë grumbullimin prej ditës së hënë në Varshavë, ku do të qëndrojë deri në përfundim të ndeshjes me Poloninë përpara se të rikthehen në Kompleksin Tropikal, ku do të vazhdojnë stërvitjet për ndeshjet shtëpiake ndaj Hungarisë në 5 shtator dhe ndaj San Marinos në 8 shtator. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!