As edhe një fitore 4-2 nuk e kënaqi plotësisht trajnerin e kombëtares, Edi Reja. Italiani pati kritika për golat e pësuar, ndonëse u ndje i lumtur për reagimin e ekipit.
Doli krejt si papritur në zonën e intervistave. Vëmendja u zhvendos menjëherë nga Sokol Cikalleshi tek Edi Reja, por fillimisht, trajneri i kombëtares pati një ankesë pasi u pengua.
“Po si mund të vendoset kjo tavolinë këtu, për cilin është kjo tavolinë këtu? Epo mirë, le të flasim për ndeshjen”.
Pyetja e parë ishte pikërisht për Cikalleshin.
“Nëse ai dëshiron të luajë, duhet të shënojë gola, të ndihmojë mesfushën, dhe madje edhe mbrojtjen. Ndryshe, me mua nuk luan. Sokoli është i fortë, dhe mund t’ia dalë. Ka kohë që nuk luan në klubin e tij, por sot bëri 90 minuta , po ashtu luajti 30 minuta në Paris. Kjo, sepse ai është profesionist, kujdeset për veten. Por, duhet të përmirësohet, sepse humbi më shumë topa sesa duhet”.
Fitorja ishte çlirim, por Reja nuk u duk shumë entuziast, as plotësisht i kënaqur.
“Përtej 4 golave, për të cilët jam shumë i lumtur, nuk pranoj dot që të pësojmë dy gola. Nuk pranoj golin e pësuar në fillim të pjesës së dytë. Një skuadër e mirë nuk pëson gol të tillë, sepse e rrezikuam veten seriozisht. Kjo, sepse Islanda ka cilësi fizike superiore ndaj nesh. Sidoqoftë, lojtarët u treguan të zotët që ruajtën zotërimin e topit”.
Pavarësisht kritikave, italiani e vlerësoi lart skuadrën e tij.
“Nuk më intereson edhe aq fitorja, por më intereson shpirti i garës që tregoi skuadra, reagimi që ajo bëri, dëshira për të fituar. Luftoi për çdo top, dhe është pikërisht kjo që tregon se je skuadër. Suksesi im si trajner ishte ky, që lojtarët reaguan, dhe që kemi një raport shumë të mirë me njëri-tjetrin, që punojnë shumë mirë. Nuk më interesoi shumë fitorja, por fryma dhe uniteti që u rikthyen. Kjo do të thotë se jemi një skuadër”./ABC News Albania 24/7