Rej Manaj del nga spitali pas dëmtimit në Ligën e Spanjës

schedule11:16 - 6 Janar, 2019

schedule 11:16 - 6 Janar, 2019

Rej Manaj ndihet mirë pas dëmtimit të rëndë që pësoi në Spanjë. Sulmuesi i kombëtares flet për gjendjen e tij dhe falenderon tifozët për mbështetjen.

Është i bindur se do të shënojë menjëherë gola të tjerë. Rej Manaj nuk është aspak i shqetësuar, edhe pas dëmtimit që pësoi në ndeshjen e ligës së dytë të Spanjës, mes Granadës dhe ekipit të tij, Albasetes.

Sulmuesi i kombëtares doli nga loja që në pjesën e parë, pasi mori një goditje në fytyrë, madje duke mbetur pa ndjenja për disa kohë. Ai e kaloi natën në spital, nën kontrollin mjekësor, ndërsa gazeta “Marka” shkruan se iu thy edhe kocka e hundës.

Vetë Manaj deklaroi se është mirë dhe se mund të luajë me maskë në fytyrë që në ndeshjen e radhës. Sulmuesi falenderoi tifozët për mbështetjen e dhënë pas dëmtimit.

Trajneri i Albasetes, Ramis, u shpreh i pakënaqur nga arbitrimi duke e quajtur gabim që nuk iu nxorr karton i kuq lojtarit që goditi Manajn në fytyrë, madje sipas tij, kjo ndikoi në rezultat.

Manaj, ish-lojtar i Interit në Itali dhe i Granadës në Spanjë, është një nga futbollistët më të rëndësishëm të Albasetes, ekip që synon të ngjitet në La Liga sezonin e ardhshëm.

Shqiptari ka shënuar 4 gola, duke dhënë një ndihmë të madhe në renditjen e ekipit. Ndeshja në fushën e Granadës ishte një duel direkt për kreun e klasifikimit, dhe përfundoi 1-1. Albasete është në vendin e dytë me 38 pikë, vetëm 1 pikë më pak sesa Granada. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!