Regjistruan pronën me dokumente false/ Si u zbulua abuzimi me tokën në Gjirin e Lalëzit. Njëri nga zyrtarët, nën hetim dhe për shkelje të tjera

schedule12:35 - 20 Nëntor, 2024

schedule 12:35 - 20 Nëntor, 2024

Detaje të tjera mësohen në lidhje me arrestimin e ish kreut të Kadastrës së Durrësit, Ardian Kona, i akuzuar për shpërdorim detyre, pasi regjistroi një pronë në Gjirin e Lalëzit me dokumente false.

Në kërkim janë shpallur edhe tre persona të tjerë, dy ish zyrtarë të agjencisë, juristi Bled Zerba dhe specialistin Leandro Dervishi, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.

Gazetari Leonidha Musaj raporton se bëhet fjalë për një vepër të kryer në vitin 2016. Sipas tij, ngjarja është zbuluar nga përgjimet e Zerba, pasi dyshohet si i përfshirë edhe në raste të tjera abuzive.

“Bëhet fjalë për disa zyrtarë të Kadastrës për ish drejtorin Ardian Kona, ish juristin Bled Zerba, specialistin Leandro Dervishi dhe një person tjetër, që dyshohet të jetë përfituesi i pronës në Gjirin e Lalëzit. Kanë tjetërsuar një pronë me dokumente të falsifikuara në një zonë tejet të lamuar në Gjirin e Lalëzit, vepër e kryer në vitin 2016-2017. Asokohe Kona ka qenë drejtor i komanduar i hipotekës ndërkohë dy të tjerët ishin punonjës të Kadastrës. Zerba është i njohur për policinë pasi nuk akuzohet vetëm për këtë, por ishte nën hetime dhe për disa shkelje të tjera si jurist i hipotekës dhe ka qenë nën përgjim, ku ka rezultuar se kanë kryer këtë bashkëpunim me njëri-tjetrin.”, raportoi gazetari Leonidha Musaj./abcnews.al