Një burrë nga Hong Kongu që u infektua me koronavirus në mars dhe arriti të mposhtë sëmundjen, ka rezultuar sërish pozitiv. 33 vjeçari dyshohet se është infektuar pas një udhëtimi jashtë vendit, raporton The Washington Post.
Sipas të dhënave paraprake nga një ekip në Universitetin e Hong Kongut, 33 vjeçari dyshohet të jetë personi i parë që është ri-infektuar me koronavirus.
Fakti që burri nuk kishte asnjë simptomë tregon që sistemi i tij imunitar e ka mbrojtur atë nga sëmundja megjithëse nuk e ndaloi mundësinë e ri-infektimit, shkruan abcnews.al
Autori i studimit Keok-Yung Yuen së bashku me kolegët e tij deklaruan se imuniteti i tufës nuk ka të ngjarë të eliminojë Covid-19 dhe se një vaksinë e mundshme mund të mos sigurojë imunitet ndaj sëmundjes. 33-vjeçari rezultoi pozitiv me koronavirus në fund të marsit, ai kishte ethe dhe kollë.
Burri doli nga spitali në mes të prillit pasi rezultoi negativ në testin e dytë dhe nuk kishte simptoma. Por pas një udhëtimi në Spanjë, ai rezultoi përsëri pozitiv kur u kthye në Hong Kong, pavarësisht se nuk kishte simptoma, shkruan abcnews.al
Mjekët në fillim menduan se ai mund të ishte një bartës i virusit, sipas autorëve të studimit, por ata studiuan sekuencën e gjenomit nga infeksioni i parë dhe i dytë për të treguar se llojet e virusit ishin të ndryshme, duke treguar që ai është ri-infektuar.
Autorët e studimit të Hong Kongut kanë rekomanduar se personat e rikuperuar nga koronavirusi duhet të vazhdojnë të respektojnë distancimin shoqëror dhe të vazhdojnë të përdorin maskat./abcnews.al