Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut do të bëhet në 2020

schedule14:22 - 28 Mars, 2019

schedule 14:22 - 28 Mars, 2019

Në vitin 2020 do të nisë regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut. Zv/ kryeministri Bujar Osmani, premtoi se politika nuk do të ketë asnjë rol në këtë proces.

Në Shkup, zv/ kryeministri për Çështjet Evropiane, Bujar Osmani ka paralajmëruar se Regjistrimi i Popullsisë do të zhvillohet vitin e ardhshëm. Ai në një prononcim për televizionin maqedonas “Telma”, ka lënë të kuptohet se partnerët në koalicionin qeverisës, LSDM-ja, kryeministri Zoran Zaev dhe BDI-ja e Ali Ahmetit, kanë tejkaluar të gjitha dallimet lidhur me këtë çështje.

Osmani ka saktësuar se ky proces, jo vetëm statistikor, do zhvillohet sipas metodës së kombinuar. Pra jo vetëm në terren, por do të shfrytëzohen bazat e të dhënave të institucioneve përkatëse dhe në të do të përfshihen dallimet etnike, kulturore e fetare të qytetarëve.

Ajo që është me rëndësi është se, është rënë dakord për vendosjen e një mekanizmi të mirëbesimit”, ka thënë Osmani.

Sipas tij, nuk do të ketë Komision Shtetëror për Regjistrim, politika nuk do të përzihet fare dhe e gjithë puna do t’i lihet Entit Shtetëror të Statistikës.

Me këtë rast, drejtori dhe zv/ drejtori (që nënkuptohet se njëri prej tyre do të jetë shqiptar) do të vendosin së bashku, për të gjitha materialet e regjistrimit në mënyrë që komunitetet etnike të kenë besim në gjithë procesin.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut deri tani kanë shfaqur mosbesim në vërtetësinë e regjistrimeve për shkak të mos përfshirjes në procesin e përpunimit të të dhënave./abcnews.al