Regjisori Armand Bora ishte i ftuar këtë të martë në emisionin “Provokacija”. Ai ka qenë në Australi, ku tregoi se ka punuar me dy aktorë vendas atje. Sipas tij, ai synon të rikthehet pasi në të gjitha drejtimet, Australia është një vend që i ka portat e hapura.
Sipas regjisorit, problemi me integrimin e emigrantëve më shumë është te pritësist se sa te ardhësit dhe këtu është ndryshimi me Australisë dhe Europës.
“Mendoj gjithmonë që nëse ka një problem me integrimin më shumë se sa te ardhësit, problemi është te pritësit. Nuk ka ndodhur në Kanada, nuk ka ndodhur në Australi, nuk ka ndodhur në Amerikë ku ka dyndje masive, ndodh në Europë. Më tepër se sa te pamundësia, unë mendoj se janë disa politika që e çojnë situatën në një moment të tillë ku ti fillon dhe nuk kuptohesh me tjetrin. Jo rastësisht Australia nuk ka emigracion nga vendet arabe, por ka kryesisht nga Azia. Azia është vendi nga dynden emigrantët”, tha ai.
Regjisori komentoi edhe ngjarjen në Zelandën e Re ku dhjetëra persona humbën jetën si pasojë e një sulmi terrorist në dy xhami. Armand Bora tha se Zelanda e Re dhe Australia janë dy vende të ndërtura mbi mirëkuptimin dhe multikulturalitetin.
“Zelanda e Re dhe Australia janë shtete që janë ndërtuar mbi këtë lloj mirëkuptimi, janë shtete multikulturale, ku politikat e multikulturalizmit janë parësore dhe në themel të shtetit dhe pikërisht në momentin ku tronditet ku taban i shtetit dhe tabani është i fortë. Unë dua t’ju kundërshtoj për termin islamofobi. Kam idenë që përdoret pak jo në vendin e duhur. Për ç’arsye? Nëse ka fobi, ajo ç’ka lind si reagim ndaj një fobie është mbrojtja, ndërkohë ne kemi sot sulm, po shohim që sulmohet komunisteti mysliman. Në këtë rast unë nuk mendoj se nëse ke fobi ndaj diçkaje të lind instikti për të sulmuar. Unë mendoj që ka kategori të caktuara, ndoshta me inspirim politik që inspirojnë njerëz të dhunshëm dhe kanë urrejteje. Është urrejtja ajo që ka ndezur shkëndijën e parë në atë që ka ndodhur në Zelandën e Re”, tha Bora.