Merkato në Superiore ka hyrë në një fazë të nxehtë janë dhe disa klubet që po tentojnë të përforcohen. Tirana është një prej tyre dhe drejtuesit e bardhbeluve kërkojnë një sulmues. Reginaldo është një prej objektivave, që u zbulua javën e shkuar në emisionin “Pressing” në ABC.
Sulmuesi nga Mozambiku fitoi para dy vitesh “Këpucën e Artë” në Superiore me 13 gola, ndërsa më parë kishte shkëlqyer me 18 rrjeta të tundura me Laçin. Për herë të parë në kampionatin shqiptar u bë i njohur te Luftëtari, skuadër me të cilën e gjeti golin 8 herë.
Pas eksperiencave në Kazakistan një rikthim në Shqipëri është opsion për Reginaldon. Gjithsesi në klubin bardheblu kanë pranuar se po tentojnë edhe Ahmed Ahmedov, i cili është pjesë e CSKA Sofie në Bullgari. 25-vjeçari, autor i një goli, nuk ka gjetur shumë hapësira këtë sezon, edhe prej faktit që ka një konkurrent të fortë si Ali Sowe te bullgarët.
Te Tirana mund të ketë edhe lëvizje në dalje. “Panorama Sport” në numrin e sotëm ka renditur disa lajme nga merkato dhe në një prej tyre raportohet se Derrick Sasraku dhe Isack Gyamfi, afrikanët e afruar në verë te kampionët në fuqi, mund të kalojnë te Besa e Kavajës në formë huazimi. Për të vendoset ditën e sotme.
Mbetemi në kryeqytet, ku Partizani ka marrë lojtarë si Valentino Murataj dhe Stenio Junior, kurse i radhës që pritet në kryeqytet është Donald Mëllugja. Mesfushori matjan, i cili spikati vjet me Bylisin, do të kalojë te “demat”, që do paguajnë te ballshiotët për kartonin e tij.
Në Fier, veç provave me brazilianë, po tentojnë të afrojnë sulmuesin Niko Zisi. Anësori, dikur pjesë e Bylisit dhe Kamzës, mund të rikthehet në Superiore pas eksperiencave në Gjermani dhe Greqi. Lëvizje edhe te Kastrioti, ku janë shfaqur lojtarë si Joan Çela (Skënderbeu) dhe Arlis Shala (Llapi). Ky i fundit zëvendëson portierin Puja, i larguar një ditë më parë. /abcnews.al