Partizani del në stërvitje pa asnjë përforcim të ri në sulm. Trajneri Sormani përgatiti skuadrën për ndeshjen me Skënderbeun, duke pasur besim tek sulmuesit që ka në ekip.
I numëroi lojtarët e ofensivës dhe i dolën mjaft. Adolfo Sormani e quan veten njeri me fat që drejton Partizanin në këtë moment dhe nuk mendon se ndonjë sulmues tjetër do t’i bënte punë skuadrës së tij. Asnjë fytyrë e re nuk u pa në seancën e parë stërvitore në Shqipëri, zhvilluar në kompleksin “Internacional” në Pezë Helmës, pra as i shumëpërfoluri Reginaldo.
Natyrisht, kjo mund të ketë qenë edhe zgjedhje e drejtuesve të klubit, por italiani mendon se me Brawn, Solomon, Bardhin e Çinarin, pa folur për të tjerët, nuk duhet ta ketë problem golin. Rrjetat sidoqoftë kanë qenë me pikatore deri tani, por Sormani njeh vetëm një rrugë për ta ndryshuar gjendjen: stërvitjen e fortë për sulmuesit e tij.
Aq e vërtetë është kjo, saqë lojtarët ofensivë e vazhduan stërvitjen me aksione para zonës së rreptësisë dhe me gjuajtje drejt portës, ndërsa gjithë të tjerët kishin shkuar tek dushet. Rritja e rendimentit për golat është e detyrueshme pas largimit të Jasir Asanit, ndërsa Esat Mala vazhdon të jetë i pezulluar nga klubi dhe është zbritur tek Partizani B.
Italiani provoi shumë skema lidhur me ndeshjen që do të luhet në Korçë këtë të martë ndaj Skënderbeut, me rifillimin e Superiores. Ai vuri theksin tek veprimet mbrojtëse dhe sulmuese, dhe sidomos në goditjet standarde, qoftë nga këndi apo edhe goditjet e dënimit, anësore dhe ballore me portën.
Partizani ndodhet në vend të katërt në Superligë, me tri pikë më pak se Kukësi, ndërsa pretendimet e klubit, por edhe të vetë Sormanit, janë që të mbrohet titulli kampion i fituar vjet me Skënder Gegën në stol. /abcnews.al